Skandali me dosjen 184, reagon PD: SPAK-u varrosi hetimin e një krimi të dokumentuar zgjedhor
Më datën 22.01.2020, Dosja 184 e cila po heton blerjen e votive, Prokuroria Dibër ka shpallur moskompetencen dhe ka dërguar atë pranë Strukturës së Posaçme Antikorrupsion, SPAK.
Por me datën 27.01.2020, SPAK ka vendosur mospranimin e akteve dhe ridërgimin e dosjes sërish për hetim në Dibër.
Pak muaj më parë Prokuroria e Krimeve të Rënda hoqi dorë nga hetimi i dosjes 184, duke shpallur moskompetencë.
Për pasojë, kjo dosje për krimet zgjedhore, me vendim të prokurorit Klodian Braho, i kaloi Prokurorisë së Dibrës.
Në këtë dosje janë përfshirë përgjimet e disa zyrtarëve të lartë, të cilët akuzohen për shit-blerje votash, për zgjedhjet e 2017 në qarkun e Dibrës.
Lidhur me zhvendosje e dosjes ka reaguar edhe Partia Demokratike, e cila ka kërkuar pak kohë më parë që SPAK të hetojë vjedhjen e zgjedhjeve në Dibër.
Gazment Bardhi deklaron se vendimi “i hetuesit të komunzimit”, Arben Kraja për të mos lejuar SPAK-un të hetojë Edi Ramën, Damian Gjiknurin, Pjerin Ndreun apo Ulsi Manjën për vjedhjen e zgjedhjeve në Dibër është vendim politik dhe kundër interesave të Shqipërisë.
REAGIMI I SEKRETARIT TË PËRGJITHSHËM TË PARTISË DEMOKRATIKE GAZMENT BARDHI
Vendimi i hetuesit të komunzimit, Arben Kraja për të mos lejuar SPAK-un të hetojë Edi Ramën, Damian Gjiknurin, Pjerin Ndreun apo Ulsi Manjën për vjedhjen e zgjedhjeve në Dibër është vendim politik dhe kundër interesave të Shqipërisë.
Hetimi i dosjeve ku janë përfshirë zyrtarë të lartë, siç është kryeministri dhe disa deputetë të PS është detyrë ekskluzive e SPAK-ut. Prokuroria e Posaçme u ngrit për t’i dhënë fund pandëshkueshmrisë së politikanëve dhe zyrtarëve të lartë, por akti i sotëm i shërbëtorit të Edi Ramës në krye të SPAK-ut godet çdo pritshmëri se Arben Kraja mund të sillej ndryshe nga Donika Prela, përsa kohë padroni i tyre është në krye të qeverisë.
Duke ridërguar dosjen 184 në Dibër, drejtuesi i SPAK, praktikisht, ka varrosur hetimin e një krimi të dokumentuar zgjedhor, i cili është kusht i Bundestagut gjerman për hapjen e negociatave të anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian.
Arben Kraja ka detyrim të japë sot sqarime publike pse i mohoi SPAK-ut mundësinë e hetimit të Edi Ramës dhe shpurës së tij për vjedhjen e zgjedhjeve në Dibër.