Skandali me mbetjet në Durrës, qeveria mbështet financiarisht bashkinë
Pas situatës së rëndë mjedisore, gati në emergjencë me mbeturinat në Durrës dhe Kavajë, qeveria ka nxjerrë sot një vendim, ku bën të ditur se do të mbështesë financiarisht bashkitë e qarkut Durrës. Sipas vendimit të firmosur nga zv.kryeministri Erion Braçe, bashkitë e qarkut të Durrësit duhet të marrin masa të menjëhershme për gjetjen e zgjidhjeve dhe trajtimin e mbetjeve urbane në këtë qark, duke mbajtur në konsideratë legjislacionin në fuqi në fushën e mbetjeve.
Vendimi nga qeveria
VENDIM Nr. 438, datë 15.7.2021 PËR MBËSHTETJEN FINANCIARE PËR MENAXHIMIN E MBETJEVE NËBASHKITË E QARKUT TË DURRËSIT
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës; të ligjit nr. 10431, datë 9.7.2011, “Për mbrojtjen e mjedisit”, të ndryshuar; të ligjit nr. 10463, datë 22.9.2011, “Për menaxhimin e integruar të mbetjeve”, të ndryshuar; të neneve 10 e 22, pika 3, të ligjit nr. 139/2015, “Për vetëqeverisjen vendore”,të ndryshuar; të shkronjës “b”, të pikës 1, të nenit 28, të ligjit nr. 68/2017, “Për financat e vetëqeverisjes vendore”, dhe të ligjit nr. 9936, datë 26.6.2008, “Për menaxhimin e sistemit buxhetor në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar; me propozimin e ministrit të Turizmit dhe Mjedisit dhe të ministrit të Financave dhe Ekonominë, Këshilli i Ministrave VENDOSI:
Bashkitë e qarkut të Durrësit të marrin masa të menjëhershme për gjetjen e zgjidhjeve për menaxhimin/trajtimin e mbetjeve urbane në këtë qark, duke mbajtur në konsideratë legjislacionin në fuqi në fushën e mbetjeve.
Pas studimit të tregut dhe gjetjes së zgjidhjeve më të mira financiare për trajtimin e mbetjeve urbane, në përputhje me standardet e menaxhimit të integruar të mbetjeve, nëse efektet financiare të zgjidhjes janë të pamjaftueshme për t’u përballuar nga buxheti i bashkisë përkatëse të qarkut të Durrësit, bashkia i drejtohet ministrisë përgjegjëse për financat, me qëllim mbulimin e diferencës së efekteve financiare të kërkuara.
Pas dërgimit të kërkesës financiare, ministritë propozuese të këtij akti i propozojnë Këshillit të Ministrave miratimin e mbështetjes financiare për bashkitë e përfshira në qarkun e Durrësit, në përputhje me instrumentet e parashikuara në legjislacionin në fuqi.
Ngarkohen Ministria e Financave dhe Ekonomisë, Ministria e Turizmit dhe Mjedisit, bashkitë e qarkut të Durrësit, këshilli i qarkut përkatës dhe Prefekti i Qarkut Durrës për zbatimin e këtij vendimi. Ky vendim hyn në fuqi me botimin në Fletoren Zyrtare.
ZËVENDËSKRYEMINISTËR, Erion Braçe!