Skema si u arrestua Agim Kajmaku, në spital ruhet me policë
Pas 7 muajsh në kërkim nga Policia e Shtetit, ish-kreu i Bashkisë së Vorës, Agim Kajmaku u prangos mbrëmjen e së hënës, pasi u paraqit në spital i shoqëruar nga avokati i tij Isuf Shehu, për shkak të problemeve shëndetësore. Stafi i spitalit lajmëroi policinë. Ekzekutimi i urdhër arrestit u bë në spital, ku ndodhet i shtruar Kajmaku dhe mësohet se ndodhet jashtë rreziku për jetën. Aktualisht ai është i shtruar në dhomë dhe ruhet nga forcat e policisë. Ai kuzohet për 3 vepra penale “Falsifikim i vulave, stampave ose formularëve”, “Falsifikim i dokumenteve” dhe “Kryerja e funksionit pas dhënies fund të detyrës”.
Agim Kajmaku u denoncua nga PD-ja, se kishte fshehur dënimin në Greqi për falsifikim parash dhe se kjo nuk ishte deklaruar në formularin e dekriminalizimit. Kjo u vërtetua nga prokuroria e Tiranës përmes një letërporosie dërguar autoriteteve greke se ai ishte në kërkim në 2003 për falsifikim të kartëmonedhave dhe nuk ishte arrestuar pasi kishte ikur në Shqipëri.
Nga përgjigjja që Interpol Greqia dhe Interpol Tirana i kanë dërguar Prokurorisë së Përgjithshme, është vërtetuar se gjurmët e gishtërinjve të Agim Kajmakut janë të njëjta me Jorgo Toton, i cili është arrestuar në Greqi dhe këtë arrestim nuk e ka deklaruar kur ai kandidoi për zgjedhjet e 30 qershorit nën siglën e PS-së.
Gjatë seancave në mungesë të tij, Gjykata e Tiranës ka vendosur dhe masën e sigurisë ”arrest me burg”. Kajmaku firmosi shkarkimin e dy nënkryetarëve të Bashkisë Vorë, Laureta Omerni dhe Hekuran Brahimajn duke ushtruar funksionin pas mbarimit të mandatit, pasi iu hoq nga ana e KQZ-së.