Skenari i PD-së për 7 majin në Kavajë, cilët janë 10 deputetët e angazhuar
7 Maji në Kavajë, do të jetë testi i parë për politikën, para se të shkohet në zgjedhjet e përgjithshme të 18 qershorit. Partia Demokratike ka deklaruar se nuk merr pjesë në zgjedhjet lokale për kryetar bashkie dhe se opozita nuk ka si qëllim të pengojë zgjedhjet.
Media të ndryshme kanë shkruar për skema dhune ditën e zgjedhjeve por qëllimi i PD-së është t’u bëjë ftesa derë më derë qytetarëve të Kavajës, në mënyrë që të protestojnë kundër zgjedhjes së mëkëmbësit të Elvis Roshit më 7 maj.
Për këtë PD-ja ka dërguar në Kavajë një grup prej afro 10 deputetesh, të cilët do të qëndrojnë çdo ditë deri ditën e 7 majit, ku edhe do të mbahet protesta për bojkotin e zgjedhjeve për Bashkinë e Kavajës.
Sipas “Gazetës Shqiptare”, Grupi i deputetëve përbëhet nga sekretari i përgjithshëm i PD-së, Arben Ristani; nënkryetarët Edi Paloka dhe Edmond Spaho si dhe deputetët Luçiano Boçi, Flamur Noka, Florion Mima etj.
Deputeti Boçi konfirmoi se takimet e para kanë nisur me strukturat e degës në Kavajë. Sipas tij në ditët në vijim do të shkohet në çdo fshat dhe zonë të Kavajës për të marrë kontaktet me banorët që të dalin dhe protestojnë më 7 maj kundër lidhjeve të politikës me krimin.
z.Boçi bën të ditur se qëllimi i këtyre takimeve nga qendra në bazë janë ftesat për qytetarët që të dalin dhe të protestojnë ditën e zgjedhjeve dhe jo pengimi i zgjedhjeve.
“Po, është e vërtetë që një grup deputetësh të PD-së kemi shkuar në Kavajë dhe do të qëndrojmë atje në mënyrë të vazhdueshme deri në datën e zgjedhjeve. Fillimisht takuam strukturat e partisë atje, të cilat janë të gjendje shumë aktive. Gjatë mbledhjes së kryesisë së degës u ra dakord që njerëzve t’u bëhen ftesa për të protestuar kundër kopjes së Elvis Roshit në qytetin e tyre, që të mos zgjedhin mëkëmbësin e tij në Kavajë, por të protestojnë paqësisht. Ne nuk do të krijojmë pengesa, por po ftojmë sa më shumë njerëz që t’i bashkohen protestës që kemi lajmëruar më datën 7 maj në qytetin e Kavajës. Takimet do të zhvillohen në çdo zonë të Kavajës, me qëllim që protesta jonë të ketë mbështetje sa më të gjerë”,- tha Boçi.
KOHA JONË SONDAZH

