Ish-presidenti Moisiu: Duhet të kemi përgatitje serioze kundër Serbisë
Sot ish-presidenti Alfred Moisiu feston 94-vjetorin e lindjes, dhe i ftuar në ”Euronews Albania”, ka folur për çështjet e fundit të zhvilluara në rajonin e Ballkanit perëndimor. Ndër të tjerat, ish-presidenti ka komentuar edhe veton e Greqisë ndaj Shqipërisë.
“Me thënë të drejtën unë nuk jam njeri që nxis përplasje, që të nxis situata të vështira. Por Greqia unë mendoj se duhet të bëjë kthesë. Nuk mund të vazhdohet në vitin 2023 me metoda të ’45-’50-ës. Beleri dihet se kush është, nuk po i futem kësaj. Por të mbash një figurë si Beleri për të krijuar përplasje mes dy vendeve fqinje që kanë shumë gjëra të përbashkëta, për mendimin tim përbën qëndrime politike të vjetruara.
Sot që po tentojmë të futemi në BE, edhe Greqisë i bëhet mirë që Ballkani të pushojë se qenuri në një situatë ku mund të ketë të papritura. Jo të bëhet pengesë për këtë punë. Vazhdimi i një lindje të tillë politik nuk i bën nder Greqisë. Ne kemi qenë shumë korrekt në marrëdhëniet me fqinjët. Beleri është pretekst”,-tha ish-presidenti Moisiu.
Nga ana tjetër, ish-presidenti foli edhe për sulmin në Banjskë në Kosovë, ku u shpreh se Serbia nuk ndërmerr asnjë hap pa mbështetjen e dikujt tjetër e në këtë rast, ajo mbështetet te Rusia. ”Serbia vetë nuk bën asgjë, i bën me ndihmën e Rusisë. Ne duhet të mendohemi si komb se si duhet të mbrohemi, pavarësisht se jemi pjesë e NATO-së. Duhet të kemi përgatitje serioze ushtarake dhe ekonomike”,-tha ish-presidenti Moisiu.