Socialistët votojnë vëllain e deputetes në krye të ILD. PD: Artur Metani, shërbëtor i Edi Ramës në drejtësi

Parlamenti votoi edhe Inspektorin e Lartë të Drejtësisë, pasi më 26 dhjetor ka marrë nga KED-ja listën e kandidatëve, që përbëhet nga Artur Metani, që është renditur i pari, Sokol Stojani, Joana Asimi Sorraj, Eris Hysi dhe Lindita Troja.

Në përfundim të punimeve të sotme, ashtu siç dhe pritej, socialistët në Kuvend miratuan emrin e vëllait të deputetes dhe ish-ministres Eglantin Gjermeni, Artur Metanin.

Me 98 vota pro është zgjedhur në këtë post Artur Metani, ç’ka do të thotë që për emrin e Metanin votuan “pro” edhe deputetët opozitarë.

Lidhur me këtë votim ka reaguar ashpër Partia Demokratike, e cila thekson se Artur Metani, shërbëtor i Edi Ramës në drejtësi, duke shtuar se emërimi i tij vulos dështimin e reformës, kapjen dhe politizimin e drejtësisë.

DEKLARATA E PARTISË DEMOKRATIKE

Sot u emërua si Inspektor i Lartë i Drejtësisë vartësi i Edi Ramës, vëllai i ish ministres dhe deputetes së tij. Artur Metani, që duhet të garantojë pavarësinë e drejtësisë nga politika, u emërua sot në kundërshtim me Kushtetutën dhe ligjet.

Sot është një ditë e keqe për demokracinë dhe drejtësinë në Shqipëri.

Emërimi i Artur Metanit në krye të Inspektoriatit të Lartë të Drejtësisë, në kundërshtim me Kushtetutën dhe ligjet, është një emërim partiak në një nga pikat kyçe të sistemit të drejtësisë, që verifikon dhe nis hetime për të gjithë gjyqtarët, prokurorët, si dhe për anëtarët e Këshillit të Lartë Gjyqesor dhe atë të Prokurorisë.

Vartës i Edi Ramës për vite me radhë, Artur Metani nuk do t’i shërbejë drejtësisë së pavarur. Ai është emëruar aty për të qenë shërbëtor i Edi Ramës. Me këtë emërim Edi Rama investohet personalisht kundër prokurorëve dhe gjyqtarëve që gjykojnë dosjet e korrupsionit, vjedhjen e votave nga qeveria e Edi Ramës apo lidhjet e tij me krimin e organizuar.

Emërimi i Artur Metanit, një militanti partiak, vartës i Ramës, vëlla i deputetes dhe ish ministres së Ramës është një tjetër zhgënjim i thellë për të gjithë shqiptarët që prisnin drejtësi të pavarur nga reforma në drejtësi e cila, me hapin e sotëm është pranë vdekjes klinike.

SHKARKO APP