Sokol Sadushi: 500 dosje në vit për një gjyqtar është numër i lartë! Kemi gjetur çështje të 2010-ës pa shqyrtuar
Në një konferencë para gazetarëve, zëvendëskryetari i Gjykatës së Lartë, që de facto është numri një në këtë gjykatë, zoti Sokol Sadushi tha se kjo gjykatë nuk funksionon me kapacitet të plotë për shkak të mungesës së gjyqtarëve. Sipas Sadushit, ky fakt shkakton mbingarkesë për gjyqtarët aktualë sepse një gjyqtar duhet të shqyrtojë në vit 500 dosje, që është një numër shumë i lartë.
Sadushi tha se ka gjetur çështje pa shqyrtuar që nga viti 2010, ndërsa kolegji civil ka numrin më të madh të dosjeve stok me mbi 18 mijë të tilla.
“Për 2021 numri i vendimeve të marra nga Gjykata e Lartë ka arritur 3609 çështje, të ndara sipas kolegjeve përkatëse. Dhënia e vendimeve në kohë dhe cilësi është detyra jonë, por kjo gjykatë nuk është në kapacitetin e saj maksimal dhe kjo duhet kuptuar. Me ardhjen e gjyqtarëve të rinj janë disa procedura që kërkojnë kohë dhe duke mos qenë në kapacitet të plotë numri i këtyre çështjeve nuk mund të evadohet shpejtë. 500 çështje për një gjyqtar në vit janë shumë. Situata më e vështirë është në kolegjin civil, janë 18 mijë çështje. Kemi gjetur në Gjykatën e Lartë çështje të vitit 2010 pa shqyrtuar”, tha Sadushi.