Sondazhi, Tirana konfirmon preferencën e grave për Ramën dhe PS
Pas matjeve në muajin shkurt dhe mars, Barometri-Euronews Albania ka zhvilluar matjen e tretë zgjedhore për qarkun e Tiranës në muajin prill. Metodologjia e përdorur është sërish si në matjet e mëparshme kampion rastësor i shtresëzuar (referuar njësive administrative) dhe madhësia e kampionit ka qenë 1000 qytetarë të pyetur në gjithë territorin e Qarkut Tiranë, ballë për ballë.
Periudha kohore e mbledhjes së të dhënave për matjen e tretë në qarkun e Tiranës është 11 Prill-22 Prill 2025 dhe marzhi gabimit është +/-3.1%. Një nga argumentet kryesor të debatit publik nisur nga narrativa politike e fushatës së Edi Ramës ka qenë diskursi me bazë gjinore. Qasja e tij në mbështetje të grave merr një konfirmim nga analiza e shifrave edhe në matjen e tretë të Barometrit për qarkun e Tiranës.
Shumica e atyre që e pëlqejnë Ramën apo kanë mendim pozitiv për të janë gra, në shifra rezultojnë 8.1 % më shumë se burrat (40.8 % burra /48.9 % gra ). Në pyetjen për kandidatin e preferuar për Kryeministër konfirmohet po ashtu e njëjta gjë epërsia e grave që e zgjedhin si kandidat për Kryeministër Edi Ramën. Ato janë 8% më shumë se burrat (35.9 % burra /43.9% gra ).
Edhe në zgjedhjen e PS si partia e duhur për të qeverisur vendin janë në shumicë në qarkun e Tiranës, 9.1 % më shumë se burrat (37% burra /46.1 % gra ). Në parashikimin e zgjedhjeve për 11 majin në matjen e qarkut të Tiranës konfirmohet e njëjta dukuri për Partinë Socialiste. Shumica e atyre që parashikojnë fitoren e PS në 11 Maj janë gra, 4.1 % më shumë sesa burrat (48.9 % burra/ 53% gra).
KOHA JONË SONDAZH


