SONDAZHI. Veliaj fiton sërish nëse përballet sot në zgjedhje me një kandidat të Berishës dhe Metës

Nga Eduard Zaloshnja

Pas protestave opozitare para Bashkisë Tiranë, të udhëhequara nga eksponentë kryesorë të partisë së Berishës dhe të partisë së Metës, JAVANEWS më kërkoi t’i zhvilloja një sondazh, ku të testoja sa vota do të merrte sot Veliaj përballë një kandidati të secilës parti respektive. Sondazhin e zhvillova gjatë fundjavës, duke dërguar një SMS me linkun e pyetësorit tek banorë krejt të rastësishëm në territorin e Bashkisë Tiranë.

Kampioni i sondazhit përbëhej nga 1254 banorë të rritur, të shpërndarë proporcionalisht në të gjithë territorin e bashkisë. Kampioni u ripeshua gjeografikisht, demografikisht, dhe politikisht, në mënyrë që ta përfaqësonte sa më mirë popullsinë e rritur të Bashkisë Tiranë. Maksimumi i marzhit të gabimit statistikor të sondazhit rezultoi plus minus 3.1%.
Nga sondazhi doli se në një përballje hipotetike zgjedhore mes Veliajt dhe një kandidati të partisë së Berishës, sot 52% e zgjedhësve tiranas nuk do të merrnin pjesë në votim (vjet më 14 maj, nuk morën pjesë në votim 48% e zgjedhësve të këtushëm tiranas). Ndër ata që do të merrnin pjesë sot në zgjedhje, ndjeshëm më shumë se gjysma do të votonin për Veliajn.

Konkretisht, nga një ekstrapolim i përafërt statistikor, rezulton se sot do të votonin për Veliajn rreth 160 mijë tiranas. Kurse për kandidatin e partisë së Berishës, do të votonin rreth 120 mijë (shihni Grafikun 1 më poshtë).

Në një përballje hipotetike zgjedhore mes Veliajt dhe një kandidati të partisë së Metës, sot plot 62% e zgjedhësve tiranas nuk do të merrnin pjesë në votim (vjet më 14 maj, nuk morën pjesë në votim 48% e zgjedhësve të këtushëm tiranas). Ndër ata që do të merrnin pjesë sot në zgjedhje, goxha më shumë se gjysma do të votonin për Veliajn.
Konkretisht, nga një ekstrapolim i përafërt statistikor, rezulton se sot do të votonin për Veliajn rreth 160 mijë tiranas. Kurse për kandidatin e partisë së Metës, do të votonin vetëm 60 mijë (shihni Grafikun 2 më poshtë).

Nga analiza e detajuar e të dhënave të hollësishme të sondazhit, rezulton se pothuaj të gjithë simpatizantët e Metës do të votonin për një kandidat të partisë së Berishës. Nga ana tjetër, vetëm 1/3 e simpatizantëve të Berishës do të votonin për një kandidat të partisë së Metës./JavaNews

SHËNIM: Nga një ekstrapolim i përafërt statistikor i të dhënave të sondazhit, rezulton se rreth 190 mijë tiranas të rritur janë aktualisht simpatizantë të Ramës, rreth 95 mijë janë simpatizantë të Berishës, rreth 18 mijë janë simpatizantë të Metës, dhe rreth 277 mijë të asnjërit prej këtyre të treve.

SHKARKO APP