Sot firmoset për anëtarësimin e Suedisë dhe Finlandës në NATO

Vendet anëtare të NATO-s do të nënshkruajnë sot në selinë e NATO-s në Bruksel protokollet e nevojshme për të ftuar Suedinë dhe Finlandën t’i bashkohen Aleancës Euroatlantike.

Ministrja e Jashtme suedeze Anne Linde dhe homologu i saj finlandez Pekka Haavisto pritet të marrin pjesë në ceremoni së bashku me përfaqësuesit e aleancës ushtarake perëndimore prej 30 anëtarësh.

Protokollet të cilat pritet të firmosen sot do të lejojnë Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s Jens Stoltenberg të ftojë zyrtarisht Suedinë dhe Finlandën për t’u bashkuar me Aleancën.

Turqia ra dakord të heqë kundërshtimet e saj ndaj kërkesës së dy vendeve nordike për t’u bashkuar me NATO-n në një marrëveshje të minutës së fundit përpara fillimit të samitit të NATO-s në Madrid javën e kaluar.

Ankaraja ka akuzuar dy vendet se mbështesin Partinë e Punëtorëve të Kurdistanit (PKK) dhe Njësitë e Mbrojtjes së Popullit (YPG), një milici kurde me bazë në Siri.

Turqia i ka cilësuar të dyja organizatat terroriste.

Dy vendet nordike i hodhën poshtë akuzat.

Pas pushtimit të Ukrainës nga Rusia, Suedia dhe Finlanda aplikuan për t’u bashkuar me NATO-n më 18 maj.

Por Turqia e ka bllokuar kërkesën e tyre për javë të tëra, duke përmendur shqetësime të lidhura me terrorizmin.

Pranimi i anëtarëve të rinj në Aleancën Atlantike kërkon unanimitet.

Procesi u bë i mundur pasi tre krerët ranë dakord të bashkëpunojnë në një sërë përpjekjesh kundër terrorizmit, duke përfshirë marrëveshjet e ekstradimit dhe angazhimet për t’i dhënë fund embargove të armëve.

SHKARKO APP