Sot Frroku sot për vrasjen në Belgjikë

Këshilli i Rregullores, Mandateve dhe Imunitetit do të dëgjojë sot argumentat e deputetit Mark Frroku në lidhje me kërkesën e Prokurorisë së Përgjithshme për arrestimin e tij për një vrasje të kryer në vitin 1999 në Belgjikë. Këshilli u mblodh të dielën dhe e shtyu për sot seancën me kërkesë të avokatëve të Frrokut që deputeti të ketë mundësinë të flasë përpara tij. Prokuroria e Përgjithshme kërkon autorizimin e parlamentit për ta arrestuar Frrokun për llogari të Belgjikës. Në Bruksel pritet të nisë në tetor gjyqi në Gjykatën e Apelit kundër Frrokut dhe një tjetër shqiptari, të akuzuar për vrasjen e Aleksandër Kurtit më 5 mars të vitit 1999 në stacionin e trenit Gare du Midi, në Bruksel. Prokuroria në dokumentat shoqërues të kërkesës për kuvendin ka paraqitur fakte që sipas saj vërtetojnë se Frroku konsiderohet nga belgët si autor i vrasjes. Gjykata e Brukselit në shkallën e parë e ka dënuar atë me 10 vjet burg. Një ditë më parë, për këtë çështje u arrestua shefi i zyrës së Interpol Tirana, Artan Bajraktari dhe shefja e sektorit Loreta Alla. Sipas Shërbimit të Kontrollit të Brendshëm ata janë informuar zyrtarisht nga zyra e Interpolit në Belgjikë  se Frroku kërkohej në Bruksel për vrasje, por nuk ua kanë përcjellë këtë informacion Prokurorisë së Përgjithshme dhe Ministrisë së Drejtësisë. Interpol Tirana është vënë dy herë në dijeni të këtij fakti vetëm këtë vit, një herë më 8 janar dhe më pas më 23 janar. Po kështu, kjo zyrë ishte vënë në dijeni edhe në vitin 2012 nga kryekomisar Dritan Lamaj, i cili u vra në shkurt të vitit 2013 nga Arben Frroku, vëllai i deputetit Arben Frroku.

SHKARKO APP