Sot heshtja zgjedhore, nësër 3.3 milionë shqiptarë do ti drejtohen kutive të votimit

Prej mesnatës së kaluar vendi ka hyrë në heshtje zgjedhore. Sipas Kodit Zgjedhor sot nuk lejohet që kandidatët apo subjektet politike të bëjnë propagandë elektorale.

Pas mitingjeve përmbyllesë të një dite më parë, sot është koha që zgjedhësit të reflektojnë për të vendosur se kujt do ti japin votën ditën e djelë të 21 qershorit.

Në garë janë 63 parti politike për 61 njësi vendore, apo bashkitë e reja sipas ndryshimeve që solli reforma territoriale, që reduktoi ndjeshëm numrin e njësive vendore, rreth 373 të tilla.

Partitë politike janë grupuar në dy koalicione të mëdha: Aleanca për Shqipërinë Europiane, kryesuar nga PS, që përbëhet nga 37 forca politike dhe Aleanca për Punë dhe Dinjitet, drejtuar nga PD me 15 forca politike, ndërsa 11 parti garojnë jashtë koalicioneve të mëdha.

Për të fituar drejtimin e 61 bashkive të reja janë në garë 158 kandidatë, 36 prej të cilëve janë të pavarur.

Të drejtë vote në këto zgjedhje kanë 3,370, 206 shqiptarë, që do të shprehin vullnetin e tyre në 5299 Qendra Votimi në të gjithë vendin.

Për ruajtjen e rendit dhe sigurisë e për të garantuar mbarëvajtjen e proçesit zgjedhor janë angazhuar 6699 forca policore.

I gjithë proçesi do të monitorohet nga rreth 3 mijë vëzhgues, 274 prej të cilëve janë përfaqësues të ODIHR.

 

SHKARKO APP