Sot ishte dita e tyre! Pensionistët mbushin parqet: I dëmshëm, izolimi për ne, do donim që dalja të ishte…
Më në fund, pensionistëve u erdhi sërish radha për të dalë pas një jave izolim, që prej të shtunës së kaluar.
Ata janë gëzuar sot pasi kanë patur të drejtë që të dalin një shëtitje deri në orën 11:00.
Në çdo qytet të Shqipërisë, ata kanë dalë duke mbushur rrugët e parqet, e dyta herë që nga izolimi për shkak të pandemisë së koronavirusit.
Kodrat e Liqenit Artificial në Tiranë ishin mbushur plot sot nga të moshuarit që me miq apo dhe çift kanë përfituar për të shtriqur këmbët në një shëtitje të gjatë.
Në prononcime për “News 24” pothuajse të gjithë kanë kërkuar që kjo liridalje të jetë të paktën 2 herë në javë pasi izolimi është tepër i dëmshëm për ta.
Misheli dhe Luiza, janë një çift bashkëshortësh që janë prej 53 vitesh së bashku. Sot si shumë moshatarë të tjerë edhe ata kanë dalë për shëtitje.
“Kjo e lëvizjes të ishte të paktën 2 herë në javë. Më shumë fasha për të moshuarit, nuk është e mjaftueshme”, thotë burri.
“Deri tani i kryejmë vetë shërbimet. Vajzën e kemi afër, kujdeset për ne. Sot mora shkopin se kjo periudhë na ka bërë shumë keq. Të frikësuar nuk jemi, sepse mosha sa të jemi të jemi”, thotë Luiza që ka qenë farmaciste prej një jete të tërë.
Një tjetër grua shprehet se nuk e ka ndjerë shumë karantinën pasi ka shtëpinë me oborr.
“Faleminderit dhe kaq. Unë kam oborr dhe i kaloj ditët. Sigurisht të afërmit, takimet me ta na mungojnë. Nuk ndihem e frikësuar. Jetoj me vajzën e dhëndrrin dhe nga këto gjëra nuk vuaj”, tha e moshuara.
“Nuk është i mjaftueshëm ky orar. Duke ndjenjur të mbyllur në shtëpi ndihemi si të këputur. Të ishte të paktën 2-3 herë në javë”, shprehet një tjetër pensioniste.
Një çift i moshuar flasin sërish për praninë e fëmijëve në ndihmë të tyre. “Kemi shumë nipër e mbesa dhe na i sjellin çdo gjë. Ne ishim mësuar të dilnim çdo pasdite, e kemi pak të vështirë por duhet të mësohemi. Për 1 muaj e gjysmë 2 herë kemi dalë. Për ne të ishte të paktën 2 herë në javë”, thonë ata.