Sot ngrihet SPAK, ja emrat e 8 prokurorëve që do të miratohen

Këshilli i Lartë i Prokurorisë do të ngrejë sot në detyrë 8 prokurorë të posaçëm, duke ngritur kështu Strukturën e Posaçme Antikorrupsion, e njohur gjerësisht si SPAK.

Me emërimin e prokurorëve, KLP bëri të ditur se do të hapë edhe garën për drejtues të kësaj Prokurorie, që pritet të zgjidhet në radhën e 8 kandidatëve të propozuar.

“Do bëhet miratimi i projekt-akteve për emërimin e 8 (tetë) prokurorëve në Prokurorinë e Posaçme: Altin Dumani, Arben Kraja, Behar Dibra, Edvin Kondilli, Elida Celami (Kaçkini), Ened Nakuçi, Enkeleda Millonai dhe Klodian Braho. Shpallja e garës për pozicionin e drejtuesit të Prokurorisë së Posaçme.

Miratimin e metodologjisë për vlerësimin e kandidatëve për drejtues të Prokurorisë së Posaçme”, njoftoi KLP-ja. Struktura e Posaçme Antikorrupsion është struktura që do të hetojë dhe çojë në gjykatë dosjet e korrupsionit dhe krimit të organizuar.

Me ngritjen e SPAK-ut do të shkrihet Gjykata për Krime të Rënda, kompetencat e së cilës do t’u kalojnë gjykatave në rrethe. SPAK dhe Byroja Kombëtare e Hetimit do të jenë struktura të specializuara për hetimin e korrupsionit dhe ligji parashikon se BKH-ja do të jetë në varësi të SPAK-ut, por gjithashtu edhe një njësi që kryen hetime të pavarura.

Lista e anëtarëve të SPAK

Altin Dumani, prokuror në Prokurorinë e Apelit Tiranë
Arben Kraja, prokuror në Prokurorinë e Përgjithshme
Behar Dibra, prokuror në Prokurorinë e Krimeve të Rënda
Edvin Kondili, prokuror në Prokurorinë e Krimeve të Rënda
Elida Celami (Kaçkini) prokurore në Prokurorinë e Tiranës
Ened Nakuçi, prokuror në Prokurorinë e Krimeve të Rënda
Enkeleda Millonai, prokurore në Prokurorinë e Elbasanit
Klodian Braho, prokuror në Prokurorinë e Krimeve të Rënda

SHKARKO APP