Sot nis sesioni i ri Parlamentar, dekriminalizimi dhe reforma në drejtësi debatet kryesore

Sot në orën 17:00, Kuvendi do të nisë zyrtarisht sesionin e ri ligjbërës, ku në seancën e parë pritet miratimi i programit dhe kalendarit të punës.

Programi dhe kalendari i punimeve për këtë sesion, pritet të jetë i ngjeshur dhe intensiv me reforma jetike për vendin dhe proçesin integrues. Reforma në sistemin e drejtësisë, pritet të jetë ajo më e rëndësishmja ku ligjvënësit shqiptarë do të angazhohen dhe do të marrin praktikat dhe rekomandimet e vendeve perëndimore. Kjo reformë do të prekë të gjitha ligjet për sistemin e drejtësisë, dhe mund të  shtrihet deri dhe në  ligjin themeltar të shtetit, kushtetutën. Ndonëse mazhoranca e ka miratuar komisionin parlamentar që do të merret me këtë reformë, marrëveshja e dhjetorit me opozitën mund të sjellë dhe ndryshime në mënyrën se si do të organizohet apo udhëhiqet puna.

Gjithashtu  puna e mazhorancës dhe opozitës do të përqëndrohen dhe në zbatimin e pikave të rezolutës së përbashkët të fundvitit, 2014. Pranë konferencës së kryetarëve tashmë janë të dokumentuara dy kërkesa, për ngritjen e komsioneve ad-hock për miratimin e një ligji për dekriminalizmin e parlamentit dhe institucioneve shtetërore, por dhe një komisioni për respektimin e vendimeve të Gjykatës Kushtetuese. Këto dy çështje për muaj me radhë u kthyen në betejë politike mes mazhorancës dhe opozitës, ku demokratëve ju deshën rreth 5 muaj bojkot, bashkë më ndërkombëtarët, për të arritur të bindin Partinë Socialiste dhe Lëvizjen Socialiste për Integrim, për të punuar në këtë drejtim.

Jo pa debat  dhe kundërshti politike do të kalojë dhe ndërhyrja në kodin zgjedhor e njoftuar nga mazhoranca,  në kuadër të zgjedhjeve të 21 qershorit. Ndërhyrjet në ligjin zgjedhor do të jenë teknike në kaudër të ndarjes së re territoriale, por opozita ka bërë të ditur se nuk bëhet pjesë e tyre. Sipas deputetëve demokratë, ndërhyrjet në kodin zgjedhorë, kanë faktuar se ndarja e re territoriale ka qëllime elektorale.

Në programin e punës së kuvendit, zënë vend dhe  dy ligje për hapjen e dosjeve të komunizmit, që padyshim do të jenë pjesë e debatit politik por dhe ndjeshmërisë publike.

Në këtë drejtim ka një inisiativë  të zyrtarizuar nga  deputëtët Mesila Doda dhe Shpëtim Idrizi, por dhe një projekt që vjen si nisëm e Këshillit të Ministrave përkatësisht nga Ministria e Mirëqenjes Sociale.

Gjithashtu  në sesionin e ri parlamentarë do të kemi dhe ndryshime në ligjin për organizmin dhe funksionimin e qeverisjes vendore, kjo dhe në përshtatje me reformën e re administrative territoriale.

SHKARKO APP