Sot përvjetori i Kongresit të jetësimit të pavarësisë së Shqipërisë!

Nga Sali Berisha-
Sot përvjetori i Kongresit të jetësimit të pavarësisë së Shqipërisë!
Të dashur miq sot është 103 vjetori i Kongresit të Lushnjës ngjarjes historike që jetësoi, vendosi pas 8 vitesh pavarësinë e Shqipërisë të shpallur nga Ismail Bej Vlora më 28 nëntor të vitit 1912 dhe të rrëmbyer fill mbrapa nga fqinjët tanë grabitqarë të mbështetur padrejtësisht dhe nga fuqitë e mëdha. Këto të fundit firmosën në prill të vitet 1915 Traktatin famëkeq të fshehtë në Londër në të cilin u vendos copëtimi i ri i trojeve shqiptare dhe fshirja e Shqipërisë dhe shtetit të saj nga harta e Europës.
Njëqind e tre vjet më parë në momente kritike për ekzistencën e Shqipërisë, qytetarët dhe fisnikët e Lushnjes hapën dyert e shtëpive dhe zemrave të tyre për përfaqësuesit më të shquar të kombit si Ahmet Zogu, Aqif Pashë Elbasanin, Sali Butka, Sheh Ibrahim Karbunara, Nebi Sefa, Bajram Haxhia etj, të cilët u mblodhën aty dhe morën vendime të një rëndësie përcaktuese në historinë tonë kombëtare. Këto vendime dhe zbatimi i tyre do të shndërronin vitin e Kongresit të Lushnjës në annus mirabilis për shqiptarët.
Kongresi zgjodhi Senatin, Këshillin Kombëtar dhe Këshillin e Lartë me atributet e Kryetarit të Shtetit si dhe Qeverinë me kryeministër Sulejman Delvinën dhe ministër të Brendshëm, Ahmet Zogun. Ky i fundit arriti të kapërcejë të gjitha pengesat dhe qeveria e dalë nga Kongresi i Lushnjes u vendos në Tiranë. Që nga ajo kohë Tirana është kryeqyteti i Shqipërisë. Qeveria e Sulejman Delvinës, ministri i saj i Brendshën Ahmet Zogu, kanë meritën historike të jashtëzakonshme sepse arritën të vendosin integritetin territorial të Shqipërisë në kufijtë e caktuar nga Konferenca e Londrës e vitit 1913 duke përzënë një nga një pushtuesit e rajoneve të ndryshme të vendit, serbët, grekët dhe së fundi edhe italianët me luftën e Vlorës. Qeveria “Delvina” përcaktoi zgjedhjet e lira si rruga demokratike për të ushtruar populli shqiptar sovranitetin e tij. Për të gjitha këto historianët kanë vlerësuar vitin 1920 si annus mirabilis, viti i mrekullisë për shqiptarët.
Sot shqiptarët nderojnë 103-vjetorin e kësaj date të madhe pasi Edi Rama është dëshmuar një tradhtar i rrezikshëm i kombit shqiptar me politikat e tij ka realizuar në 7 vite spastrimin më të madh etnik të Shqipërisë në kohëra.
103 vite më parë Kongresi i Lushnjës shpëtoi Shqipërinë nga zhdukja e saj nga harta e Europës. Mesazhi i këtij Kongresi sot është më aktuale se kurrë për shqiptarët: te ngrihemi në lartësinë e idealeve tona, të shpëtojmë Shqipërinë dhe kombin tonë nga shpërbërja dhe gjendja katastrofale në të cilën e ka zhytur regjimi i Edi Ramës i bazuar në vjedhjen, drogën dhe krimin.
Nderim përjetë atyre që 103 vjet më parë me Kongresin e Lushnjës vendosën pavarësinë e Shqipërisë dhe shtetin sovran shqiptar! sb

SHKARKO APP