Sot Visar Zhiti në Komisionin e Jashtëm. Kisha nuk e do Ambasador në Vatikan
Komisioni Parlamentar i Punëve të Jashtme, pritet të zhvillojë sot një seancë dëgjimore me tre prej kandidatëve të Ministrisë së Jashtme si Ambasadorë.
Visar Zhiti, kandidati i qeverisë për Ambasador në Vatikan, Fatos Reka për në Maqedoni dhe Bardhyl Canaj kandidati për Ambasador në Izrael do të paraqiten para deputetëve të këtij komisioni për të paraqitur platformat e tyre në lidhje me detyrën që u është ngarkuar nga Ministri Bushati.
Por kjo seancë dëgjimore, vjen pas një seri lajmesh të cilat e konsiderojnë të kotë prezantimin në këtë komision, për të paktën njërin prej tyre. Pikërisht për kandidatin e qeverisë Rama si ambasador në Vatikan të poetit Visar Zhiti.
Tre ditë më parë, Presidenti i Republikës, u shpreh qartë dhe prerë se asnjë nga kandidatët për Ambsadorë që i janë paraqitur në tavolinë nga qeveria mes të cilëve edhe z. Zhiti nuk do të marrë firmën e tij, pasi sipas tij qeveria nuk është konsultuar paraprakisht me të.
Nga ana tjetër kandidimi i Zhitit si ambasador në Vatikan është kundërshtuar edhe nga vetë Konferenca ipeshkvnore e Shqipërisë, organi më i lartë përfaqësues i komunitetit katolik në vend, e cila kërkon emërimin në këtë detyrë të një personi nga komuniteti katolik.
KOHA JONË SONDAZH

