Spaho padi penale Ahmetajt për shpifje: Se kush është hajdut në këtë vend, shqiptarët e dinë mjaft mirë
Nënkryetari i Partisë Demokratike, Edmond Spaho, është përfshirë në replika në distancë me ministrin për Rindërtimit, Arben Ahmetajn, në lidhje me deklaratat e këtij të fundit në seancën plenare të kësaj të enjteje. Përmes rrjeteve sociale, Spaho shprehet se Ahmetajt “i ka djegur” deklarata lidhur me Fondin Monetar Ndërkombëtar, teksa i kujton se kush është hajdut në këtë vend, shqiptarët e dinë mjaft mirë.
“Ndoqa sot shpifjet që më bëri në Parlament Arben Ahmetaj! I paska djegur shumë ajo që paskam thënë për FMN-në, Edi Ramën dhe Arben Ahmetaj. Nuk kam gënjyer. Thjesht i jam referuar asaj që ka thënë FMN, si qeveria më e dështuar që kanë pasur ndonjëherë shqiptarët. Edhe për të tjerat nuk kam gënjyer. Arben Ahmetaj përkthyes është, atë shkollë ka mbaruar. Nuk ka pse i vjen turp nga profesioni i tij, sepse përkthyesi është profesion i nderuar, pavarësisht se edhe në këtë fushë, ai nuk e ka ndritur. Në të tjerat, jo e jo. Edhe Edi piktor është. Ka bërë vetëm atë shkollë dhe për pasionin e vet shkon deri në Nju Jork për të blerë bojëra, ndërsa policia vret qytetarët, dhjetëra të tjerë vdesin në ditë dhe mijëra të tjerë janë pa kujdes. Kur më akuzon mua si hajdut, në Devoll fillojnë e qeshin me të madhe, të majtë e të djathtë. Unë nuk kam qenë asnjëherë në jetën time deputet i Devollit. Se kush është hajdut në këtë vend, shqiptarët e dinë mjaft mirë. Edhe unë kam qenë ministër, por vazhdoj të rroj me dinjitet, me pagë dhe në apartamentin që ka ndërtuar Enti i Banesave në vitin 1995 në rrugën “Don Bosko”. Shqiptarët njohin gjithashtu edhe se cilët janë komedianët e premtimeve të rreme e të pa mbajtura, që i kanë marrë në qafë. Komedia e Rilindjes me dështimet e mëdha të Edi Ramës, apo Arben Ahmetajt, i kushton kaq shumë Shqipërisë dhe shqiptarëve. Për gjithë sa Arben Ahmetaj tha për mua në Parlament, do të shihemi në gjykatë për shpifje dhe fyerje”, deklaron nënkryetari i PD-së, Edmond Spaho.