Spaho për ”KJ”: Rama presion Europës, rezultat negativ me negociatat

Nga: Redjon Shtylla

Qëndrimi i Francës për t’i thënë jo deri në 2020-n mosçeljes së negociatave me Shqipërinë është përforcuar edhe nga Holanda. Paraditen e të enjtes në parlamentin holandez, tre deputetë depozituan 3 mocione bllokuese për çeljen e negociatave BE-Shqipëri, ku thonë se: “Të mos hapen negociatat, me asnjë kusht”. Paçka se qeveria hapi shampanjën, situata është më serioze dhe kritike për vendin. Në një prononcim për ”Koha Jonë”, Nënkryetari i PD-së, Edmond Spaho, u pyet se: Pa gjetur fajtorët, çfarë do të thotë kjo për Shqipërinë? Izolim më shumë nga BE-ja dhe vetëm kushte?

Spaho thotë se qëndrimet, si Holanda dhe Franca e kanë dhënë më herët, pasi krimi i organizuar dhe fluksi nga azili janë shqetësuese për këto dy shtete. ”Tregon qartë që vendi ynë nuk ka përmbushur asnjë kusht për të merituar hapjen e negociatave. Kryeministri francez, Philip e tha qartë në debatin që u zhvillua në Asamblenë Kombëtare për zgjerimin e BE-së. Si është e mundur që një vend që kërkon të hapë negiciatat e pranimit të jetë në krye të listës të atyre që kërkojnë azil në Francë. Holanda ashtu si në muajin qershor, kërkon të shohë rezultate në luftën ndaj krimit të organizuar dhe korrupsionit”.

Për shtimin e kushteve të Gjermanisë, nga 7 në 9 kushte, për Spahon tregon se qeveria ka bërë hapa pas. ”Fakti që Gjermania nga 7 kushte që kishte vjet na vendosi 9 kushte sivjet, tregon që jo vetëm nuk kemi avancuar por kemi bërë hapa prapa në drejtim të shtetit ligjor, të drejtave të njeriut, luftës ndaj krimit të organizuar, korrupsionit, organizimit të zgjedhjeve të lira e demokratike”.

I pyetur për firmosjen e marrëveshjes për ”Shengen-in Ballkanit”, nënkryetari i PD-së thotë se me këtë projekt kryeministri Edi Rama, ”bën presion” Europës. ”Për fat të keq Kryeministri nuk e sheh fajin tek mosrealizimet e qeverisë së tij por përpiqet tja kalojë atë Europës si dhe ti bëjë asaj presion me projekte qesharake si Shengeni Ballkanik. Mesa duket edhe 2019 do mbyllet me të njëjtin rezultat negativ përsa i përket hapjes së negociatave pavaresisht se Kryeministri shampanjën e hapi dhe e piu një vit më parë”.

SHKARKO APP