Spaho për ”Koha Jonë”: BE-ja i kërkon Ramës zgjedhje të parakohshme, ka 2 detyrime

Nënkryetari i PD: Ne jemi tërësisht të përqëndruar dhe kemi vendosur gjithë forcat në përfundimin e Reformës Zgjedhore në afatin 15 mars 2020, si dhe zbatimin e Reformës Zgjedhore pas miratimit të saj në Kuvend.

Nga: Redjon Shtylla

Në mbledhjen e kësaj të hëne të Kryesisë së PS-së, kreu i grupit parlamentar socialist, Taulant Balla ndër të tjera u shpreh për mediat se qeveria ”Rama 2”, zgjedhjet i sheh vetëm në 2021. Nga ana tjetër, opozita politike e ka pikë kyçe të aksionit të përditshëm, qëndrimin ndaj zgjedhjeve të parakohshme. Ndaj dhe ”Koha Jonë”, kontaktoi me nënkryetarin e PD-së, Edmond Spahon, për të mësuar më shumë mbi qëndrimin e opozitës por në veçanti të PD-së. Spaho në prononcimin e tij, flet për dokumentin e Bundestagut gjerman, për të cilin thotë se ka pranuar krizën në vend dhe si rrugë sheh zgjedhjet e parakohshme.

”Bundestagu ka renditur 9 kushte nga të cilat dy kushtet e para lidhen specifikisht me zgjidhjen e krizës politike, ku opozita ka detyrimet e saja të cilat ka pranuar ti japë. Detyrimi i parë është hartimi i Reformës Zgjedhore. Reforma Zgjedhore po procedon në përputhje me propozimin e opozitës të parashtruar në dokumentin prej 5 pikash të fundit të shtatorit 2019. Po kryhet midis pozitës dhe opozitës, jashtë parlamentit në Këshillin Politik dhe me ndërmjetësimin e ekspertëve të OSBE. Çfarë vendoset në Keshill do miratohet në Parlamentin monist”,-thotë Spaho.

Nga ana tjetër, nënkryetari i PD-së thekson se forcat e opozitës janë përqëndruar për përfundimin e Reformës Zgjedhore në afatin 15 mars 2020, si dhe zbatimin e Reeformës Zgjedhore pas miratimit të saj në Kuvend. ”Çdo qëndrim ndryshe nga çfarë përcaktohet në dokumentin prej 9 pikash të Bundestagut, synon të zvarrisë Reformën Zgjedhore, zbatimin e saj, të thellojë krizën në vend dhe të pengojë hapjen e negociatave me BE-në. Ne e ndjekim këtë çështje me vëmendjen më të madhe dhe në çdo rast do ndërmarrim çdo aksion të mundshëm dhe me të gjitha mjetet në interes të vendit dhe qytetarëve shqiptarë”,-thotë më tej Spaho për ”Koha Jonë”.

Prononcimi i plotë i Edmond Spahos

Sikurse të gjithë janë në dijeni, ka një dokument të Bundestagut gjerman i cili është kthyer në dokument të BE-së dhe komunitetit ndërkombëtar.

1-Për herë të parë pranohet kriza e thellë politike, kushtetuese, institucionale, ligjore, ekonomike në të cilën është futur Shqipëria dhe nevoja e zgjidhjes sa më parë të saj.

2-Nevoja për të kryer reforma të prekshme në shumë fusha për të bërë të mundur hapjen e negociatave me BE-në.

Për të dy çështjet Bundestagu ka renditur 9 kushte nga të cilat dy kushtet e para lidhen specifikisht me zgjidhjen e krizës politike, ku opozita ka detyrimet e saja të cilat ka pranuar ti japë. Detyrimi i parë është hartimi i Reformës Zgjedhore. Reforma Zgjedhore po procedon në përputhje me propozimin e opozitës të parashtruar në dokumentin prej 5 pikash të fundit të shtatorit 2019. Po kryhet midis pozitës dhe opozitës, jashtë parlamentit në Këshillin Politik dhe me ndërmjetësimin e ekspertëve të OSBE. Çfarë vendoset në Keshill do miratohet në Parlamentin monist.

Detyrimi i dytë është zbatimi i Reformës Zgjedhore që do të thotë mbajtja e zgjedhjeve të parakohshme. Për këtë çështje dokumenti i Bundestagut është edhe më i hollësishëm, mbledhja e parë inagurale ndërqeveritare për hapjen e negociatave nuk mund të mbahet pa u miratuar kodi i ri zgjedhor kurse mbledhja e dytë nderqeveritare, e cila praktikisht hap negociatat, nuk mund të mbahet pa u zbatuar kodi zgjedhor që do të thotë nuk mund të mbahet pa u kryer zgjedhjet e parakohshme.

Ne jemi tërësisht të përqëndruar dhe kemi vendosur gjithë forcat në përfundimin e Reformës Zgjedhore në afatin 15 mars 2020, si dhe zbatimin e Reformës Zgjedhore pas miratimit të saj në Kuvend. Çdo qëndrim ndryshe nga çfarë përcaktohet në dokumentin prej 9 pikash të Bundestagut, synon të zvarrisë Reformën Zgjedhore, zbatimin e saj, të thellojë krizën në vend dhe të pengojë hapjen e negociatave me BE-në. Ne e ndjekim këtë çështje me vëmendjen më të madhe dhe në çdo rast do ndërmarrim çdo aksion të mundshëm dhe me të gjitha mjetet në interes të vendit dhe qytetarëve shqiptarë.

SHKARKO APP