SPAK kërkon ndihmë nga Facebook për Ahmetajn, Berisha: Duan ta frikësojnë që të mos denoncojë vjedhjet e Ramës
Në një kohë që nuk ka asnjë detaj se ku ndodhet Arben Ahmetaj, Prokuroria e Posaçme, SPAK kërkon ndihmën e Facebook për gjetjen e vendndodhjes së ish-zv.kryeministrit. Sali Berisha thotë se ky është një lloj presioni, që Ahmetaj të frikësohet dhe të mos denoncojë vjedhjet e kryeministrit Edi Rama. ”Qëllimi nuk është aspak vendndodhja, por është frikësimi i Ahmetajt, që të mos denoncojë vjedhjet e vet Ramës, Veliajt në Facebook. Ramës nuk i mbetet gjë tjetër vetëm të urdhërojë SPAK-un e Partisë të sekuestrojë valet e RFI, radios ndërkombëtare të Francës, që bash ditën e Samitit Europian denoncoi lidhjet e Ramës me drogën”,-shkruan Berisha.
Postimi i plotë
Rama i tmerruar nga statuset në Facebook. Super skandal digjital! Rama i tmerruar nga statuset në llogarinë Facebook të Arben Ahmetaj, urdhëron SPAK-un të sekuestrojë Facebook-un e tij. Të dashur miq, sot Skapi i Partisë informoi opinionin se i ka kërkuar kompanisë Meta vendndodhjen sipas Facebook të Arben Ahmetaj.
Sipas kësaj komunikate kjo qenka mënyra për të rënë në gjurmët dhe gjetur vendndodhjen e të zhdukurit Arben Ahmetaj. Kjo është një tallje me publikun. Është i mirënjohur fakti se pas këtij njoftimi, Arben Ahmetaj me një administrator mund t’i postojë statuset nga ndërtesa e Këshillit të Ministrave nga cepi i globit dhe këtë Skapi e din fort mirë.
Por kërkesa e Ramës nuk ka asnjë lidhje me gjetjen e vendndodhjes së Ahmetajt, mbasi ai këtu ishte dhe e njoftuan që të largohej një javë para se të lëshonin fletë-arrestin e tij. Kështu që qëllimi nuk është aspak vendndodhja, por është frikësimi i Ahmetajt, që të mos denoncojë vjedhjet e vet Ramës, Veliajt në Facebook.
Ramës nuk i mbetet gjë tjetër vetëm të urdhërojë SPAK-un e Partisë të sekuestrojë valet e RFI, radios ndërkombëtare të Francës, që bash ditën e Samitit Europian denoncoi lidhjet e Ramës me drogën.