SPAK kërkon ndihmë nga META: Ku është Arben Ahmetaj?

Në një kohë që nuk ka asnjë detaj se ku ndodhet Arben Ahmetaj, Prokuroria e Posaçme, SPAK kërkon ndihmën e Facebook për gjetjen e vendndodhjes së ish-zv.kryeministrit.

Pas disa reagimeve të Ahmetajt në këtë platformë, teksa është i shpallur në kërkim nga drejtësia shqiptare, SPAK i është drejtuar zyrtarisht zyrave qendrore të META-s së Mark Zuckerberg. Sipas ”A2cnn”, përmes letër-porosisë i janë drejtuar disa pyetje, mes të cilave synohet gjurmimi i vendit nga është loguar Ahmetaj për të bërë këto postime.

Që nga momenti kur SPAK ngriti një akuzë të re, ku konstatohet se ai ka shkelur ligjin duke firmosur privatizimin e ish-fabrikës së bukës te 5 Maji, ish-zv.kryeministri Arben Ahmetaj ka reaguar në Facebook, duke pretenduar se po i bëhet një gjyq popullor.

Nga arratia, Ahmetaj ndalet tek akuza se ka shpërdoruar detyrën duke i shkaktuar shtetit një dëm prej 7 miliardë Lekësh, duke pretenduar se një strategji që e nxjerr atë si “Dele të Zezë” po aplikohet nga mediat e financuara nga inceneratorët, SPAK dhe politika.

SHKARKO APP