SPAK: Kush publikon detaje nga dëshmitë e Dumanit rrezikon burgun
Dëshmitë e Nuredin Dumanit për vrasje dhe krime ndër vite, vijojnë që të trazojnë politikën, bandat si edhe po përdoren nga mediat, qofshin edhe me keqinformim. Ndaj prokurorët e Dumanit kanë urdhëruar ndalimin e publikimit të detajeve të dëshmisë së tij.
Në urdhrin e lëshuar nga SPAK thuhet se Nuredin Dumani dhe Henrik Hoxhaj kanë dhënë shpjegime për shumë ngjarje të rënda kriminale. Për SPAK është e domosdoshme ruajtja e sekretit të tyre deri në përfundim të hetimeve.
Ndaj edhe në bazë të marrëveshjes që Prokuroria e Posaçme ka lidhur me ta, urdhërohet ndalimi i publikimit në media dhe duke kujtuar që ata që e bëjnë rrezikojnë burgun.
“Shtetasit Nuredin Dumani dhe Henrik Hoxhaj kanë dhënë shpjegime për shumë ngjarje të rënda kriminale që kanë ndodhur në vite dhe vende të ndryshme. SPAK ka lidhur marrëveshje me ta. Deklarimet e tyre janë shumë të vlefshme për hetimin. Duke vlerësuar rëndësinë e tyre del e domosdoshme ruajtja e sekretit të tyre, deri në përfundim të hetimeve paraprake. Gjithashtu, ndalohet publikimi i këtyre deklarimeve qoftë edhe i pjesshëm nga shtypi apo informacioni masiv. Moszbatimi i këtij urdhri sjell përgjegjësi penale”, thuhet ndër të tjera në njoftimin e prokurorisë.