SPAK mbylli hetimet për “5D konstruksion”, i dërgoi për gjykim
Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar mbylli sot hetimet dhe dërgoi në Gjykatën e Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar dy procedime penale për shkelje të barazisë në tendera në bashkëpunim, me nëntë të pandehur, të cilët dyshohet se krijuan avantazhe dhe privilegje të padrejta shoqërisë “5D Konstruksion”, që zotërohej nga dy ish drejtorë të bashkisë së Tiranës, Redi Molla dhe Mariglen Qato.
Për rikonstruksionin e një sheshi parkimi pesë vjet më parë si dhe një palestre të mundjes katër vjet më parë, titullarja e “Tirana Parking” Eglantina Zere dhe titullarja e “Klubit Sportiv Tirana” Deborah Keçi, dy institucione në varësi të Bashkisë së Tiranës, SPAK-u bëri të ditur se kanë toleruar shkelje ligjore në mënyrë që prokurimet t’i fitonte shoqëria tregtare “5D Konstruksion”, e njëjtë me shoqërinë “V.A.S Konstruksion”.
Në rastin e palestrës, titullarja Keçi, sipas SPAK-ut, u dakortësua me përfaqësuesin e “V.A.S Konstruksion” për ta shpallur fitues të procedurës së prokurimit që në fazën e përgatitjes së dokumenteve, ende pa u shpallur procedura. Për këtë ajo bashkëpunoi me anëtarët e Komisionit të Vlerësimit të Ofertave Teuta Guri, Jetjon Mera dhe Rejnaldo Gjerazi.
SPAK-u theksoi se komisionerët tashmë të pandehur “nuk kanë ushtruar në përputhje me ligjin detyrën e tyre për vlerësimin dhe klasifikimin e ofertave, por kanë vlerësuar dhe klasifikuar në kundërshtim me rregullat e prokurimit publik operatorin ekonomik “5D Konstruksion” sh.p.k, i cili ka qënë i paracaktuar për tu shpallur fitues nga e pandehura Deborah Keçi”.
Ngjashëm kanë rrjedhur procedurat e parregullta edhe në rastin e shesh-parkimit. Titullarja Zere paracaktoi për t’u shpallur fitues bashkimin e operatorëve ekonomik “V.A.S Konstruksion” dhe “Rroku Guest”.
Për të arritur këtë rezultat ajo bashkëpunoi me anëtarët e Komisionit të Vlerësimit të Ofertave Enkelejda Qyta, Bruno Koçi dhe Rivjola Baxha, si dhe me anëtarin e Njësisë së Prokurimeve Kristo Zhulati.
SPAK-u shtoi se ka provuar me fakte që verifikimin dhe vlerësimin e ofertave të operatorëve ekonomikë, që kanë marrë pjesë në këtë procedurë prokurimi, nuk e kanë bërë anëtarët e Komisionit të Ofertave, por e kanë bërë persona të tjerë që kanë punuar në shoqërinë “5D Konstruksion”.
Ndërsa komisionerët e ngarkuar për vlerësimin e ofertave nuk kanë kryer detyrën në përputhje me ligjin, por kanë shpallur fituesin e paracaktuar nga titullarja Zere në kundërshtim me rregullat e prokurimit publik.
Të nëntë të pandehurit mund të dënohen secili me burgim deri në tre vjet, siç parashikon Kodi Penal në nenin përkatës për shkelje të barazisë në tendera..
Parkimi dhe Palestra janë vetëm dy nga një seri rastesh, ku shoqëria “5D Konstruksion”, e zotëruar nga dy ish drejtorë të bashkisë Molla dhe Qato, dyshohet se fitonte tendera e prokurime nga agjenci në varësi të bashkisë në kundërshtim me rregullat.
Ish drejtuesit Redi Molla dhe Maringlen Qato janë arrestuar nëntë muaj më parë, në fund të marsit të kaluar, nën dyshimet për korrupsion pasiv dhe fshehje pasurie. I arrestuar është edhe Taulant Tushe, ish drejtor i përgjithshëm në bashkinë e kryeqytetit, nën dyshimet për shkelje të barazisë në tendera.