SPAK nis hetimet për Lefter Allën, Balla: PS nuk bëhet mburojë për askënd
Sekretari i përgjithshëm i PS, Taulant Balla reagoi sot në një prononcim për mediat lidhur me videon e publikuar për kreun e Bashkisë Bulqizë, Lefter Alla.
Balla tha se PS nuk është bërë dhe s’ka për t’u bërë mburojë për askënd, por do të pritet vendimi i drejtësisë, ndërsa paralajmëroi dënim maksimal, nëse vërtetohet se z.Alla është duke konsumuar kokainë në video.
“Prej 18 dhjetorit 2019 kur ka nisur punën SPAK, subjekt i së cilës janë nga Presidenti përfshi deputetët, duhet të kuptojmë të gjithë që duhet të pranojmë një standard tjetër nga ai që është sot. Asnjëherë më parë nuk ka patur hetim kaq shpejt. Përshëndes SPAK për nisjen e hetimit, në asnjë rast PS nuk ka marrë e nuk ka për të marrë kurrë në mbrojtje askënd,
Nuk i di pistat që po heton prokuroria, por dua ta mbështes atë, dhe mezi presim që sapo të ketë akuza të caktuara reagimi ynë do jetë i ashpër. Sikurse cdo qytetar ndjejmë neveri nëse verëtohet por po ashtu ndjejmë neveri kur parti të caktuara përdorin video montazhe për të dëmtuar krahun tjetër. Ia lemë prokurorisë, në rast se vërteton cdo lloj akuze, dënimi do jetë maksimal për këdo.” tha Balla, ndërsa theksoi se nuk i kthen asnjë përgjigje PD por vetëm rasteve që drejtohen nga institucionet e drejtësisë.
“Ju kujtoj akuzat për kreun e Bashkisë së Vaun të Dejës, po bën 6 muaj dhe nuk di të jetë konfirmuar një rast i tillë. Me rëndësi është që Shqipëria ka instrumentat e plotë ligjorë për t’i shkuar këtyre rasteve deri në fund. Përshëndes reagimet e menjëhershme për hetime. Më në fund nuk mbyllen cështjet vetëm në nivel të akuzave politike”, vijoi më tej Balla.