SPAK nis punën, Kraja: Koha për punë, jo për llafe
Menjëherë pas zgjedhjes së kreut të SPAK dhe betimit të 8 prokurorëve tek Presidenti i Shqipërisë, Prokuroria e Posaçme Antikorrupsion nisi sot zyrtarisht punën. Tetë prokurorët dhe kryetari Arben Kraja, u paraqitën këtë të premte në Prokurorinë e Krimeve të Rënda për ditën e parë të punës. Prezantimin e kreut të SPAK, Arben Kraja, e bëri vetë kreu i KLP-së, Gent Ibrahimi.
Kraja foli pak, ku falenderoi anëtarët e KLP-së që i dhanë besimin me votë por edhe ata që votuan për dy kandidatët e tjerë. ”Do të bëjmë një skuadër shumë të fortë. Koha është për punë dhe jo për llafe.
Prokurori i Prokurorisë së Përgjithshme, Arben Kraja, mori 6 vota nga anëtarët e KLP nga 4 vota që mori Altin Dumani. Ndërsa kandidati i tretë, Edvin Kondili mori vetëm votën e kryetarit të KLP, Gent Ibrahimi. Anëtarët që votuan pro Krajës ishin Bujar Sheshi, Kosta Beluri, Alfred Balla, Vate Staka, Nurjan Seiti dhe Sandër Beci. Ata e shpjeguan votën pro me faktin se Arben Kraja ka eksperiencë në menaxhimin e burimeve njerëzore.
Arben Kraja u zgjodh dje në krye të SPAK, një prej institucioneve të reja të krijuara në kuadër të reformës në drejtësi dhe që objektiv kryesor të punës do të ketë hetimin dhe ndjekjen e rasteve të korrupsionit në nivele të larta, si dhe luftën kundër krimit të organizuar.