SPECIALE/Qeveria egërsoi Policinë. 55 ekzekutime përgjakën vitin e trishtë 2020. Vrasja e Klodianit revoltoi rininë

Ekzekutime mafioze, krime në familje dhe shpërthime me tritol, janë ngjarjet që kanë vënë në pikëpyetje sigurinë e jetës, dhe që tronditën Shqipërinë përgjatë një viti pandemik. Shumica e vrasjeve janë ende pa autorë

Nga: Redjon Shtylla

“Krimi, krimi, krimi”. Me nerv, gjakënxehtësi dhe i çorientuar. Kështu shpërtheu disa kohë më parë kryeministri Edi Rama, kur u vu përballë fakteve se krimi ka tejkaluar vijën e kuqe dhe ka marrë peng Shqipërinë. Ekzekutime mafioze, krime në familje dhe shpërthime me tritol, janë ngjarjet që kanë vënë në pikëpyetje sigurinë e jetës, dhe që tronditën Shqipërinë përgjatë një viti pandemik. Shumica e vrasjeve janë ende pa autorë. Atentate për larje hesapesh apo gjakmarrje, nisën një javë pas ndërrimit të viteve. 2020, viti i pandemisë së Covid-19, tregoi edhe një polici të egërsuar ndaj qytetarëve. Gjobat ndaj atyre që lëvizinin pa maska në rrugë, dhuna ndaj protestuesve dhe vrasja e Klodian Rashës, e bënë Policinë e Shtetit si një organizatë terroriste dhe jo mbrojtëse. Janë 55 vrasje që gjunjëzuan vendin më shumë sesa Covid-19, pasi rendi dhe siguria që propagandon qeveria është zero. Bandat në Elbasan kanë marrë kontrollin dhe bëjnë ligjin, dhe forcat speciale të Policisë së Shtetit janë një hap pas. Vrasja e 25-vjeçarit nga efektivi i forcave “Shqiponja”, ishte një vrasje e paralajmëruar. Prej shumë kohësh qeveria e ka nxitur këtë repart kundër popullit. Në protesta, tubime paqësore, të armatosur gjerë në dhëmbë, ky repart nuk e ka kursyer dorën ndaj qytetarëve. Rrahje, gaz lotësjellës (helmues), shkopa gome, shkelma, tërheqje zvarrë e grave dhe fëmijëve, janë panarama që qeveria ka praktikuar ndaj shqiptarëve përgjatë 365 ditëve të 2020. Prej muajsh pamë një Polici që është egërsuar dhe vërshon çdo ditë me gjoba ndaj qytetarëve që kapen pa maska, ndërkohë që siguria për jetën është zero. Pse duhet të qëndrojë më në pushtet kjo qeveri që drejton këtë Polici të Shtetit? Që të na hedhim më shumë hi syve dhe të na dhunojë? Policia e Shtetit është kthyer në një “organizatë terroriste”, dhe zgjedhjet po afrojnë, ndaj dhe pikëpyetjet për veprimet dhe sjelljen e forcave speciale janë të shumta. Hesapet mes bandave njëllosën vitin e trishtë 2020.

Hesape, hasmëri dhe thrille pasioni, nder dhe mister është kronika e 2020

31 dhjetori 2020, u mbyll tragjikisht me vrasjen e dy grave. 59-vjeçari Përparim Ademi vrau bashkëjetuesen e tij Zhaneta Metani dhe motrën e saj, Kristina Bardhi. Zhaneta kishte një lidhje me të. Autori i vrasjes së dyfishtë në Tiranë, ka deklaruar para grupit hetimor që e ka kryer krimin për shkak të xhelozisë. Ademi është shprehur se nuk ka pasur për qëllim të vrasë motrat, por në debat e sipër ata e kanë ofenduar dhe ka qëlluar në drejtim të tyre. Sipas Ademit, ai kishte krijuar lidhje paralele me Zhanetën, pavarësisht se ishte i martuar. Gjatë javëve të fundit, sipas 59-vjeçarit, ajo ishte distancuar ndjeshëm, ndërsa dyshonte se edhe ajo kishte një lidhje tjetër.

Numri i vrasje në 365 ditë të 2020, është 55. Mëngjesin e 7 janarit, në qendër të Rrëshenit ekzekutohet me një plumb në zemër Kastriot Reçi, në sy të një fëmije të mitur. Vrasja e Reçit. Krimi më i mistershëm është rrëmbimi dhe vrasja e Jan Prengës më 17 janar, në Kamëz. Prenga u fsheh fillimisht në kompleksin “Golden” në Shijak, ndërsa trupi i pa jetë i tij nuk është gjetur ende. Hetimet zbuluan se Prenga u mor peng dhe u vra për shkak të një sasie kokaine të të vëllait të tij, Antonio. Mbrëmja e 11 qershorit ngriti në këmbë policinë e Tiranës. Në zonën e “Komunës së Parisit”, ekzekutohet brenda makinës së tij Hekuran Billa. Më 27 prill, në Lezhë u vranë Preng Simoni dhe Kol Murrani, rapsod i njohur i zonës. Kol Murrani kishte miqësi dhe ishte fqinj me Preng Simonin. Aleksandër Përdodaj, autor dhe Agron Lushi, bashkëpunëtor akuzohen se ekzekutuan dy 60-vjeçarët. Po në të njëjtën ditë, në zonën e Nishtullës në Durrës, dy vëllezër Viktor dhe Besmir Haxhia 27 dhe 35-vjeç, u vranë brenda makinës së tyre tip “Golf” në momentin që dolën nga servisi i tyre. 55 plumba u derdhën mbi dy të rinjtë, ndërsa ngjarja dyshohet se lidhet me trafikun e drogës dhe influencës në zona të ndryshme të Durrësit.

Më 2 mars, e njëjta dorë ekzekutoi Dorjan Shkozën dhe Anxhelo Avdinë, të përfshirë në trafikun e drogës jashtë vendit. Njëri nga dy vëllezërit, Besmir Haxhia ka qenë i dënuar në Greqi dhe Francë po për narkotikë. Më 13 maj, në Skrapar u vra Ramadan Çela, 77-vjeç nga fqinji i tij, Hamza Cela. Ngjarja ndodhi për motive pronësie, dhe autori është në burg. Mbrëmjen e 23 majit, Kristian Breshanaj, 25-vjeç, u vra natën e Fiter Bajramit me 5 plumba. Breshanaj kishte vetëm 3 muaj që ishte kthyer nga Belgjika.

Të shtunën e 30 majit, në një hotel buzë autostradës Laç-Mamurras, u vranë Bujar Lika dhe Paulin Gjergji, ndërsa pas shkëmbimit të zjarrit me viktimat, u plagos njëri nga autorët kryesorë të ngjarjes. Po në të njëjtën ditë, një sasi tritoli shpërtheu në hotelin e Ervin Matës në kryeqytet.

Më 4 qershor Roland Pula, 32-vjeç vrau Gramoz dhe Xhontil Bardhin. Vrasja e dy vëllezërve Bardhi në Krujë, ka ardhur si rezultat i një konflikti që Besnik Pula ka pasur me vëllanë e madh të familjes Bardhi, Elton Bardhi. Konflikti e ka zanafillën në 19 gusht të 2005, kur vëllai i Gramoz dhe Xhontil Bardhi, Eltoni ka plagosur me thikë Besnik Pulën.

Më 8 qershor, Ardjan Çapja, 55-vjeç u qëllua me snajper në atentatin e tretë që iu bë. Çapja luftoi për frymëmarrje. Ai u fut në terapi intesive pasi plumbi i kishte kaluar shumë pranë zemrës. Çapja fitoi përballë atentatorëve, të cilët jo vetëm që nuk janë kapur, por as nuk janë identifikuar. Mbrëmjen e 11 qershorit, një i ri u qëllua me breshëri. Hekuran Billa, “Lani”, ia kishte dalë të mbyllte hesapet me ligjin, por jo me “drejtësinë popullore” shqiptare.

Më 20 korrik, Elbasani nisi një kalvar ekzekutimesh. Emiljano Ramazani u qëllua me 5 plumba. 49-vjeçari, baba i 4 vajzave, rreth orës 16:30, teksa po parkonte makinën e tij tip “Ford Focus” mes pallateve pranë vendit të quajtur “Rrethrrotullimi i luleve” në hyrje të qytetit, u vra nga një person që iu afrua dhe e qëlloi për vdekje 5 herë me pistoletë nga xhami i pasagjerit.

Mbrëmjen e 29 korrikut, Regis Runaj, 23-vjeç, shoku i Emiljano Ramazanit u vra, pasi u qëllua mbi 7 herë me thikë. Dyshohet se i riu u vra në një vend tjetër, e më pas u çua me makinë në afërsi të varrezave të qytetit, në një rrugë qorre ku nuk kalojnë shumë njerëz. Ngjarja dyshohet se lidhet me trafikun e kokainës, pasi të dy shokët kanë qenë të etiketuar si shpërndarës të drogës në Peqin dhe Elbasan.

Më 30 qershor vritet Florian Lamçe, 40-vjeç. Ai ndodhej në tavolinë me Adriano Hajdarin dhe Sokol Sanxhaktarin, i njohur si dhëndri i ish-kryebashkiakut të Elbasanit, Qazim Sejdini. Tri djemtë, që njiheshin edhe si miq fëmijërie me njëri-tjetrin, para vrasjes postuan edhe foto të përqafuar në rrjetet sociale duke pirë. Nën ndikimin e alkoolit dhe kokainës, ata vranë viktimën, i njohur edhe me nofkën “Flor Qorri”.

“Më tha je grek”, ky ka qenë rrëfimi i Mihal Thimjos, muzikant në dasma, pas vrasjes së 57-vjeçarit, Gëzim Saraçi. Një miqësi e cila përfundoi në mënyrë tragjike, ndërsa autori, 33-vjeçar e qëlloi viktimën për vdekje me sende të forta, dhe e la të pajetë në kamionçinën e tij në aksin Poliçan-Suhë.

Më 10 korrik, një krim makabër tronditi vendin. Olsi Çekiçi vrau të ëmën në mënyrë makabre duke i prerë kokën, e duke ia varur më pas tek porta e banesës. Ngjarja ndodhi pas një konflikti verbal, pasi e ëma nuk e lejoi djalin t’i bërtiste vajzës së mitur 14-vjeçare, duke u futur në sherrin babë e bij.

Përgjaket dhjetori, 8 të vrarë

Beniamin Bozhanaj, 27-vjeç i sapo kthyer nga Italia, ku kishte vuajtur dënimin për trafik droge u ekzekutua me 22 plumba kallashnikovi. Dy autorët, e prisnin të fshehur pas pemëve në Dukat, dhe në momentin që shënjestra e tyre është shfaqur janë hedhur në sulm. E vetmja pistë ku janë bazuar hetuesit është ajo e larjeve të hesapeve të drogës.

Xhulio Prela, efektiv i forcave të ndërhyres së shpejtë në Shkodër u ekzekutua në aksin Lezhë-Milot. 26-vjeçari kthehej nga Rinasi, kur dyshohet se iu bë shenjë të ndalonte makinën e me pas të qëllohej për vdekje me 3 plumba pistolete.

Andi dhe Martin Olldashi, janë gjetur të vrarë në një kanal vaditës në fshatin Zvirinë në Maliq dhe dyshohet se janë vrarë me katër plumba. Dyshohet se trupat e tyre kanë qëndruar tre ditë. Mësohet se ata janë vrarë në ditën kur janë larguar nga shtëpia.

Anton Keli sapo kishte parkuar makinën. Pikërisht në këtë vend autorët i kishin zënë pritë dhe qëlluan në drejtim të tij 6 herë me pistoletë, ndërkohë që 6 plumba e kapën në trup. Vrasja që ndodhi në Rrëshen nuk ka akoma një autor.

Vangjel Polovina zbrazi një karikator të tërë mbi trupin e viktimës, Ajet Guneli. Autori dhe viktima, ishin ulur të dy bashkë për të pirë kafe në lokalin pranë liqenit të fshatit Gjuraj në Berat. Të dy, kanë debatuar fillimisht pasi Polovina kishte shkuar të kërkonte llogari nga Guneli, sepse pretendonte se ky i fundit e shante dhe e ofendonte çdo ditë.

Rifat Xheleshi dhe Gentian Kosiqi dolën për gjueti në Maqellarë, në vendin e quajtur “Malet e Obokut”. Xheleshi, 18-vjeç, nga pakujdesia dhe nga mjegulla e dendur në zonë qëlloi me çifte shokun e tij, 27-vjeç duke e plagosur rëndë. Gjakderdhja e shumtë bëri që i riu të vdiste pa marrë ende ndihmën e nevojshme mjekësore.

Vetëvrasja horror e familjes Josifi, misteri vijon

Në pikun e pandemisë, vendi u shokua nga ngjarja në Kombinat. Më 2 korrik, në banesën e familjes Josifi, njëra nga vajzat kishte muaj që kishte ndërruar jetë, por e lyenin me uthëll dhe prsnin ringjalljen. Kurse nëna e vajzave, ndërroi jetë disa ditë para se ngjarja tu zbulonte. Policia dhe prokuroria e Tiranës, nuk kanë asnjë person apo sekt fetar të dyshuar se mund të ketë ndikuar në vendimin ekstrem të vetëflijimit të familjes Josufi në Kombinat të Tiranës.

Eskpertiza mjeko-ligjore, ka dalë në konkluzionin se anoreksia është dhe shkaku i vdekjes së nënë e bijë por ekspertët nuk kanë përcaktuar datën e saktë, se kur kanë ndërruar jetë nënë e bijë në banesën e tyre. E mbijetuara e vetme e familjes Josifi, Blerta ka dalë nga spitali. 34-vjeçarja ka rrëfyer se motra e saj kishte qëndruar 52 ditë pa ngrënë dhe pa pirë, duke ndërruar më pas jetë. Kurse nëna ndërroi jetë në datën 2 korrik 2020, edhe ajo duke agjëruar.

Ajo tha se nëna e saj kishte rënë përtokë në gjunjë dhe kishte ndërruar jetë. Në dëshminë e të resë del në pah dhe një tjetër detaj tragjik, ku ajo thekson se motra e saj para se të ndërronte jetë “ishte pushtuar nga djalli” dhe se për këtë shkak kishte pasur kriza nervore, por që asnjëherë nuk kishte shkuar në spital por për të kujdesej vetë nëna dhe Blerta. Ajo ka mohuar faktin se pas kësaj ngjarje, duke çuar në nxitje për t’u vetëflijuar, nuk fshihet Kisha Ungjillore, pasi sipas saj kishin 5 vite që ishin shkëputur dhe se kishin vazhduar vetë rrugëtimin me Zotin. Mister gjer në një rrëfim të besueshëm janë shkaqet dhe rruga që ndoqi kjo familje në tragjedinë e Kombinatit, e cila qëndron si ngjarja më e çuditshme e njëherazi e dhimbshme për këdo që dëgjoi e mori vesh për të.

5 orë “luftë”, RENEA vret 71-vjeçarin

Më 24 shtator, 71-vjeçar Lefter Zhidru qëndroi i mbyllur për 5 orë brenda banesës së tij në lagjen “11 Nëntorit”, nën rrethimin e policisë dhe forcave speciale të RENEA-s. Lefter Zhidru ishte i inatosur me të gjithë, që nga familja, komshijtë, policia, gjykatat dhe qeveria. Pas urdhërit për ndërhyrje, u përdorën njëkohësisht tymuese, gas lotsjellës, neuro-paralizuese  si dhe goditja me tokmak. Lefter Zhidru u ekzekutua. Por si nisi ngjarja që përfundoi me ekzekutimin e të moshuarit nga RENEA? Ishte pikërisht një telefonatë nga ish-gruaja e Lefter Zhidru tek Komisariati i Policisë së Elbasanit për ushtrim dhune nga 71-vjeçari. Ish-gruaja ka thënë se viktima pretendonte se ajo e tradhtonte, edhe pse ishin të ndarë ata jetonin në një banesë. Pas shumë orësh pritje, Policia vendosi që të ndërhynte kur ora shënonte 18:00, duke hyrë në banesën e tij dhe duke e vrarë në vend.

Por pse pritën deri në orën 18:00? I moshuari nga Elbasani u vra vetëm pak momente pasi në vend ra muzgu. Kjo pasi me të rënë nata, efektivët e Policisë nuk do të kishin më fushëpamje për të ndjekur me kujdes veprimet e tij dhe i druheshin edhe një sulmi tjetër nga ballkoni i banesës. I moshuari kishte në banesën armën kallashnikov, një sasi të konsiderueshme municioni luftarak dhe disa kallëpe me lëndë plasëse të montuara me kapsolla detonatore gati për shpërthim.

Gjatë ndërhyrjes së forcave RENEA, 71-vjeçari i ka kërcënuar se do t’i hidhte në erë. Një tjetër pyetje që shtrohet pas kësaj ngjarje të rëndë është edhe ajo e mosreagimit të Policisë së Elbasanit ndaj këtij personi. I denoncuar disa herë si nga ish-bashkëshortja, ashtu edhe nga komshinjtë, duket se policia nuk e ka parë të arsyeshme të kryejë qoftë edhe një kontroll banese ndaj 71-vjeçarit.

Të fortët “fituan” nga OFL-ja, as një pronë e konfiskuar

Për Shqipërinë, lufta ndaj krimit të organizuar dhe pastrimit të parave, është një nga 15 kushtet kryesore të vendosua nga Bashkimi Europian, për negociatat e Integrimit. Në shkurt të këtij viti, kryeministri Edi Rama prezantoi Operacionin Forca e Ligjit, ku me doza të larta prej deliri, thoshte se pasuritë e krimit nga djemtë problematikë, do të shkonin në shërbim të shqiptarëve. Në 11 muaj operacion, të dhënat zyrtare flasin për 1503 pasuri, për të cilat është kërkuar sekuestro.

Nga hetimet e OFL-së për këto pasuri, ka rezultuar se 542 prej tyre janë në pronësi të lidhjeve familjare, miqësore apo shoqërore të individëve që po verifikohen. SPAK ka gjetur në jo pak hetime gabim në veprimet e OFL-së, duke hequr sekuestrot e kërkuara në plot 38 raste, ose e thënë ndryshe për 128 pasuri në total. Referuar të dhënave të siguruara nga OFL, në mbi 1500 pasuri për të cilat është kërkuar sekuestro, 784 janë pasuri të paluajtshme. Dhe këtu listohen jo vetëm banesa, por parcela truall, parcela pyll, vreshta, kullota, ranishte dhe 9 pyje.

Në 475 pasuritë e paluajtshme bien në sy 7 mjete të blinduara e më pas mjete të tjera deri tek furgonat, autobusët e ekskavatorët. Vetëm në 14 raste, personat e vënë nën hetim kanë preferuar ti ruajnë paratë në llogari bankare. Kemi një numër të lartë pronash të sekuestruara. Deri më tani janë 530 të tilla. Manaxhimi i pasurive është një proces që del jashtë OFL-së. Më 1 janar të 2021 OFL-ja pushon së ekzistuari, por duke nisur nga situata e pandemisë, OFL u detyrua që të ndërpresë punën për disa muaj. Kjo ka çuar në vendimin për të ndërhyrë në ligj për zgjatjen e afatit të proceseve të hetimit pasuror ndaj subjekteve të dënuar. Marifeti i pushtetit për të përdorur OFL-në si një zarf kërcënues ndaj të fortëve edhe jo vetëm, për të mbajtur pushtetin, është jo e pa zakontë për Rilindjen, por nëse qeveria përdor OFL-në si kërcënim për zgjedhjet, populli do përgjigjet.

Vrasja e 25-vjeçarit Rasha revoltoi rininë. Efektivi pendohet, por rrezikon 20 vite burg

Shkelja e orarit policor nga Klodian Rasha, i mori jetën tragjikisht këtij të fundit. Në mesnatën e 8 dhjetorit, teksa Rasha kishte dalë për të blerë një paketë cigare, siç rrëfyen pas ngjarjes familjarët dhe shokët e tij, u qëllua për vdekje. Vrasja e 25-vjeçarit nga efektivi i repartit “Shqiponja”, i cili ndodhet pas hekurave dhe pret vendimin e drejtësisë, nxiti një revoltë të madhe dhe protesta të fuqishme që çuan në dorëheqjen e Sandër Lleshajt si ministër i Brendshëm. Ngjarja tronditëse nxiti protesta në të gjithë Shqipërinë, por kulmoret ishin në Tiranë, duke sjellë në vëmendje raportin polici-qytetar dhe kualifikimin e efektivëve të policisë. Prokuroria e Tiranës ka zbuluar se pistoleta e gjetur gati 100 metra nga vendi ku u vra Klodian Rasha, mbrëmjen e 8 dhjetorit, që u dyshua fillimisht se ishte hedhur nga viktima, nuk ka gjetur asnjë gjurmë gishtërinjsh dhe nuk ka prova që ajo mund të ketë qenë e Rashës. Nevaldo Hajdaraj, është efektivi i dyshuar për vrasjen e Klodian Rashës.

Prokuroria e Tiranës ka vlerësuar se provat e reja të siguruara nga hetimi diktojnë ndryshimin e kualifikimit të veprës penale për të cilën ai akuzohet, nga “vrasje në kapërcim të mbrojtjes së nevojshme”, në atë të “vrasjes me dashje”. Kjo do të thotë që nëse me veprën e parë, për të cilën nisi hetimi, efektivi i forcave “Shqiponja” rrezikonte deri në 7 vite burg, me akuzën tjetër ai mund të rrezikojë deri në 20 vite burg. Nevaldo Hajdaraj, i cili vrau mëngjesin e së martës 25-vjeçarin Klodian Rasha, gjatë seancës ku gjykata i dha masën e sigurisë “arrest me burg”, ka deklaruar se ka njoftuar sallën operative për një njeri të dyshimtë dhe se gjithçka ka ndodhur për 4-5 minuta. “Merrni çfarë mase të doni, unë kam vrarë një njeri. Gjithçka ka ndodhur në ora 01.9 min për 4 ose 5 min ka qenë situata. Kam njoftuar sallën operative dhe kemi kërkuar përforcime për një njëri të dyshimtë. Kjo që ka ndodhur me mua s’do ja uroja askujt në jetë”, tha ai. Nga ana tjetër, ai ka thënë se “Sillni familjen këtu, dua t’i kërkoj falje. Kam marrë një jetë njeriu, merrni çfarëdo lloj mase ndaj meje. Jam penduar”, mësohet të jetë shprehur polici 31-vjeçar.

Shërbimi për Çështjet e Brendshme, pas ngjarjes nisi një hetim për të gjithë repartin Shqiponja, që nga rekrutimi i efektivëve, e deri te veprimet policore. Hetimi prek të gjithë njësinë speciale ndërsa do të ndiqen të gjitha procedurat sesi një efektiv bëhet pjesë e Shqiponjave. Cili është kualifikimi i tyre, eksperienca në terren apo dhe detaje të tjera të cilat të bëjnë pjesë të njësisë brenda Policisë së Shtetit. Krahas procedurave të rekrutimit të oficerëve, SHÇBA do të ndjekë nga afër dhe policimin e njësisë si dhe historikun e mënyrave të shoqërimit ku jo në pak raste ka pasur ankesa nga ana e qytetarëve. Dilema e vetme tashmë mbetet pistoleta, për të cilin po kryet një hetim paralel në pritje edhe të disa analizave të detajuara, për sa kohë nuk është verifikuar ende nëse arma i përkiste viktimës, 25-vjeçarit Klodian Rasha.

SHKARKO APP