Spiropali: Gëzuar Ditëlindjen Ati i Shenjtë për dëshminë prekëse që po i jep botës në këto kohë të vështira

Papa Françesku feston sot 87-vjetorin e lindjes. Një urim i ka bërë dhe ministrja për Parlamentin, Elisa Spiropali. ”Gëzuar Ditëlindjen Ati i Shenjtë për dëshminë prekëse që po i jep botës në këto kohë të vështira, besimtarëve e jo besimtarëve, duke prekur zemrat e të gjithëve”.

Postimi i plotë

Vizitën e parë në një vend evropian, më 21 shtator 2014, Papa Françesku e bëri në Shqipëri! Simbolikë më të bukur ungjillore nuk mund të kishte zgjedhur: vendi i vogël vizitohet i pari!
Por njëherazi, kishte një tjetër simbolikë përvjetori: më 21 shtator 1953, 17 vjeçari Jorge Mario Bergoglio ndjen thirrjen e Hyut për t’u bërë meshtar.

Në disa libra me intervista, më ka mrekulluar jeta e Tij me dedikim të plotë e të paskaj ndaj njerëzve në nevojë ku Ai sheh imazhin e Krishtit duke vuajtur! Një person, familja e të cilit kishte përjetuar emigrimin, vetë Ai kishte përjetuar diktaturën, lirinë, dashurinë, e zgjedhin Atin e Shenjtë e të papërsëritshëm në aradhën e Papëve!

Kur studioja për një semestër në Buenos Aires në 2004-ën, e intervistoja njerëz që kishin vuajtur diktaturën e juntës ushtarake në Argjentinë, nuk e kisha menduar se ky vend i realizmit magjik e i Borgesit, një ditë do i dhuronte katolicizmit një Papë të jashtëzakonshëm që do të vetëquhej, sipas traditës, Françesk: nën shembullin e Shenjtit të madh të skamnorëve!

I pranishëm me lutje kudo ku ka luftë, emigrantë në kërkim të një jete me dinjitet, ku ka skamje, ku ka lotë dhimbjeje!
Ditëlindja e vërtetë e një meshtari është dita e thirrjes meshtarake prej Hyut, por sot po i përmbahem Kalendarit Gregorian: Gëzuar Ditëlindjen Ati i Shenjtë për dëshminë prekëse që po i jep botës në këto kohë të vështira, besimtarëve e jo besimtarëve, duke prekur zemrat e të gjithëve!

SHKARKO APP