Spiropali i kthehet Bashës: Çoni letra nëpër ambasada se kush do futet në burg
Ministrja e Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, Elisa Spiropali, i është përgjigjur kryedemokratit Lulzim Basha për akuzat ndaj inceneratorëve. Spiropali tha se ato janë të domosdoshme për të pastruar Shqipërinë, pasi sipas tij, qeveria e mëparshme e kishte zhytur në plehra.
Mes të tjerash, ministrja Spiropali u bëri thirrje organeve të drejtësisë që të hapin dosjet e vjetra të politikanëve, teksa u shpreh se “I bëjmë thirrje SPAK, prokurorisë, gjykatave, të shohin mirë ato dosje që janë aty, t’u heqin pluhurin. E mbani mend besoj komisionin e CEZ etj. T’i hapë drejtësia të gjitha, deri në fund”.
“Ka vetëm një arsye pse gjithçka që u tha këtu nga Basha është e pabesueshme për këdo që ka mend në kokë, sy për të parë e vesh për të dëgjuar. Mungesa absolute e koherencës në ato që thotë dje, ato që bën sot, ato që do të thotë nesër, është ulëritëse. Sot që interesi juaj është i ndarë mes dy njerëzve, ju bëni garë se kush do shkojë më parë në burg. Çoni letra prej hetuesi nëpër ambasada. Nuk e përcaktoni ju se kush shkon në burg, shkoni e përgjigjuni për ato që keni bërë. Patjetër që ky sistem drejtësie nuk është perfekt, jep shenja se mund të intimidohet, por po ndryshon. Por në fund, përtej këtij sistemi, është edhe gjykata e pagabueshme, vota e qytetarëve, që ju nuk e keni e nuk do ta keni.
Do vijë koha e përgjegjësisë për të gjithë, do ndahet shapi nga sheqeri. Askush nuk ja hedh dot, sepse në fund të gjykon sovrani, që i ka sytë në ballë. Për ne është e qartë, do vazhdojmë të qeverisim për të bërë të mira për këtë vend. Ashtu si dhe pastrimi i Shqipërisë është i domosdoshëm dhe duhet bërë. Këtë mundësi nuk na e hiqni dot ju. Të jeni të bindur, se pavarësisht sa komisione hetimore ngrihen, ne do të presim me shumë urtësi e mençuri derisa i fundit të marrë atë që meriton. I bëjmë thirrje SPAK, prokurorisë, gjykatave, të shohin mirë ato dosje që janë aty, t’iu heqin pluhurin. E mbani mend besoj komisionin e CEZ etj. T’i hapë drejtësia të gjitha, deri në fund. Ky është synimi ynë, drejtësia për të gjithë”, tha Spiropali.