Spiropali: Kuvendi mbështet zhvillimin e industrisë turistike, si një sektor prioritar i ekonomisë
Kryetarja e Kuvendit, Elisa Spiropali, zhvilloi sot një takim me operatorët turistikë Kavajë-Rrogozhinë.
Në aktivitet morën pjesë, përveç Kryetares Spiropali, edhe Ministrja e Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro, Zëvendësministrja znj. Ilva Gjuzi dhe deputeti Etjen Xhafaj.
Gjatë takimit u diskutua për suksesin dhe problematikat nga sezoni turistik si dhe masat që do të merren për sezonin e ardhshëm.
Kryetarja e Kuvendit, Elisa Spiropali, u shpreh se mbështetja e operatorëve turistikë është prioritet i mbështetjes për zhvillimin e sektorit të turizmit.
“Kjo industri po prodhon jo vetëm ekonomi, por edhe përmirësim të dukshëm të imazhit të vendit tonë. Zhvillimet e Shqipërisë kanë ardhur progresivisht. Viti i kaluar u mbyll me mbi 10 milionë turistë, ndërsa sezoni turistik i këtij viti, duke iu referuar të dhënave Janar-Gusht, u mbyll me 8,5 milionë vizitorë të huaj, ose rreth 20% më shumë se e njëjta periudhë e vitit 2023”,-u shpreh Spiropali.
Kryetarja Spiropali bëri me dije se Ministria e Turizmit dhe Mjedisit do të prezantojë së shpejti strategjinë për turizmin 2025-2030.
“Ministria ka një strategji për turizmin dhe do të prezantohet së shpejti. Bëhet fjalë për periudhën 2025-2030. Ministria ka nevojë patjetër për mbështetje, buxhet, që puna e saj të jetë më pranë jush. Kuvendi ka mbështetur e do të mbështesë zhvillimin e industrisë turistike, si një sektor prioritar i ekonomisë”,-nënvizoi Spiropali.
Operatorët turistikë diskutuan dhe ngritën disa çështje problematike të cilat lidhen me infrastrukturën e ujit të pijshëm dhe ujërat e ndotur, energjinë dhe problematika të qarkullimit rrugor gjatë sezonit turistik.