Spiropali-Ligi: Shqipëria, lider në rajon për reformën e administratës publike
Ministrja e Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, Elisa Spiropali zhvilloi një takim me drejtuesin e SIGMA-s për Shqipërinë, Timo Ligi. Spiropali theksoi se Shqipëria ka bërë progres të qëndrueshëm në Reformën e Administratës Publike.
“Legjislacioni që garanton fleksibilitet e stabilitet, revolucioni digjital i shërbimeve që ka sjellë lehtësira për qytetarët dhe bizneset, dhe së fundmi rritja e pagave në shërbimin civil, janë vetëm disa nga masat e marra si pjesë e vizionit tonë për një administratë profesionale dhe meritokratike”, u shpreh ajo.
Ministrja theksoi se në raportin e Monitorimit SIGMA 2021, Shqipëria është vlerësuar si lider i rajonit në reformën e administratës publike. “Qeveria mbetet e angazhuar maksimalisht në implementimin e reformave të mirëqeverisjes dhe administrimit publik, si një ndër prioritetet kyç për integrimin e plotë në Bashkimin Evropian”, shtoi Spiropali.