Spiropali: Me Gjermaninë dhe Poloninë, partneritet për mbështetjen e Ukrainës

Gjatë qëndrimit në Riga, në Samitin e Tretë Parlamentar të Platformës Ndërkombëtare për Krimenë, Kryetarja e Kuvendit Elisa Spiropali u takua sot me Presidenten e Bundestagut gjerman Bärbel Bas dhe Kryetarin e Parlamentit të Polonisë Szymon Franciszek Hołownia.

Kryetarja Spiropali dhe Presidentja Bas rikonfirmuan marrëdhëniet e shkëlyera dhe dialogun intensiv politik të nivelit të lartë mes Shqipërisë dhe Gjermanisë.

Të dy vendet bashkëpunojnë ngushtësisht edhe në kuadrin e Procesit të Berlinit, si një mbështetës i fuqishëm i integrimit ekonomik të rajonit.

Kryetarja Spiropali vlerësoi mbështetjen e Gjermanisë, dhe rolin pro-aktiv të të gjithë spektrit politik të Bundestsgut, për anëtarësimin e Shqipërisë në BE si edhe ndihmën teknike për zhvillimin me sukses të negociatave.

Znj. Spiropali vuri në dukje bashkëpunimin intensiv mes Kuvendit dhe Bundestagut për reformën në drejtësi dhe reformat e tjera demokratizuese si edhe shkëmbimet e shpeshta të vizitave të të gjitha niveleve: kreyeparlamentarëve, grupeve parlamentare, komisioneve, grupeve të miqësisë dhe deputetëve. Kryetarja Spiropali dhe Presidentja Bas ranë dakord që ky bashkëpunim rezultativ të vazhdojë.

Bashkëpunimi dypalësh, vuri në dukje Kryetarja Spiropali, plotësohet nga bashkëpunimi i sukseshën në NATO dhe organizatat e forumet ndërkombëtare.

Në takimin me Kryetarin e Parlamentit të Polonisë Szymon Franciszek Hołownia, Kryetarja Spiropali shprehu vullnetin për vazhdimin e marrëdhënieve të shkëlqyera dypalëshe politike, nxitjen e bashkëpunimit ekonomik, në fushën e mbrojtjes e sigurisë, infrastrukturës, turizmit etj. si edhe intensifikimin e bashkëpunimit dhe diplomacisë parlamentare. Znj. Spiropali shprehu mirënjohjen për mbështetjen e Polonisë dhe të vendeve të Vishegradit për integrimin europian të vendit tonë dhe bashkëpunimin e integrimin rajonal të vendeve të Ballkanit Perëndimor. Kryetarja Spiropali dhe Kryetari Hołownia diskutuan edhe për vazhdimin e mbështetjes për Ukrainën dhe mbrojtjen e lirisë dhe të paqes.

SHKARKO APP