Spiropali pret drejtuesit e Shoqatës të ish të Përndjekurve: Çështja juaj, prioritet

Kryetarja e Kuvendit, Elisa Spiropali, priti sot në Kryesinë e Kuvendit, drejtuesit e Shoqatës Antikomuniste të të Përndjekurve Politikë Demokratë të Shqipërisë, Kryetarin Et’hem Fezollari dhe Kryetarin e Këshillit Kombëtar Aleksandër Marku.
Spiropali diskutoi me Fezollari dhe Marku mbi disa propozime konkrete të Shoqatës për përmirësimin e legjislacionit për statusin dhe trajtimin e ish të përndjekurve, programeve e shërbimeve, në kuadrin e politikave sociale, kohezionin social dhe drejtësisë sociale në Shqipëri.
“Këto çështje po i trajtojmë me preokupim maksimal institucional, moral e njerëzor dhe respektin për vuajtjet dhe sakrificat e kësaj shtrese gjatë regjimit komunist. Kuvendi po punon dhe do të bashkëpunojë me Shoqatën Antikomuniste të të Përndjekurve Politikë Demokratë për përmirësimin e kuadrit ligjor dhe njëkohësisht nxit e monitoron institucionet shtetërore për të plotësuar të gjitha detyrimet për mbështetjen e ish të përndjekurve”, u shpreh Spiropali.