Spiropali pritet nga Presidenti i Dhomës së Deputetëve të Italisë: 500 mijë shqiptarë përfitojnë pensionin
Kryetarja e Kuvendit, Elisa Spiropali e cila po zhvillon një vizitë zyrtare në Itali u takua sot me Presidentin e Dhomës së Deputetëve, Lorenzo Fontana, dhe me Presidentin e Senatit, Ignazio La Russa. Në takime ishin të pranishëm deputeti Arben Pëllumbi, kryetar i grupit ndërparlamentar të miqësisë Shqipëri-Itali, deputetja Blerina Gjylameti, anëtare e këtij grupi, dhe Ambasadorja e Shqipërisë në Itali, Anila Bitri Lani.
Spiropali vlerësoi marrëdhëniet e shkëlqyera mes Shqipërisë dhe Italisë dhe angazhimin për thellimin e Partneritetit Strategjik, bazuar në marrëdhëniet e qendrueshme historike, kulturore, ekonomike dhe njerëzore mes vendeve e popujve tanë.
Po ashtu Spiropali u shprehu Presidentit Fontana dhe Presidentit La Russa mirënjohjen për mbështetjen e vazhdueshme dhe të fuqishme të Italisë për anëtarësimin e Shqipërisë në BE dhe bindjen për vijimin e kësaj mbështetjeje edhe gjatë zhvillimit të negociatave, pas Konferencës së Dytë Ndërqeveritare Shqipëri-BE të 15 tetorit.
Marrëveshja për njohjen reciproke të sigurimeve shoqërore dhe pensioneve, e cila pritet të ratifikohet së shpejti nga Dhoma dhe Senati Italian,tregon se bashkëpunimi mes parlamenteve, qeverive e institucioneve të të dy vendeve u shërben qytetarëve.