Spiropali: Salianjit i ndërpritet mandati. Noka i ”vërsulet” Peleshit, Bardhi tregon nëse do të djegin mandatet
Qetësia e PD-së u shua me burgosjen e Ervin Salianjit. Kaosi dhe seancat që mbahen në pak minuta janë rikthyer. Kryetarja e Kuvendit, Elisa Spiropali njoftoi mes kaosit në fillimin e seancës plenare ndërprerjen e mandatit të Ervin Salianjit si deputet i PD-së. Ajo njoftoi se për të nuk do të mblidhet Këshilli i Mandateve në Kuvend për shqyrtim pasi ka vendim të formës së prerë nga Gjykata për tu dënuar me 1 vit burg.
Nga ana tjetër, sapo u rifutën në seancë, Flamur Noka dhe Gazment Bardhi i kanë shkuar tek vendi ku ulet Niko Peleshi dhe Toni Gogu, duke ngritur zërin dhe duke përplasur dorën në tavolinë. “Ti nuk ke punë”, dëgjohet Noka t’i thotë Peleshit. Pasi nxorën nga salla karriget dhe u vunë flakën, Gazment Bardhi tha se këtë e bënë për të treguar se nuk janë aty për karriget e tyre. I pyetur nëse do të djegin mandatet sërish, ai tha se jo. ”Nuk jemi këtu për karriget tona! Karriget tona janë të qytetarëve. Djegien e mandateve e bëri një herë kush e bëri dhe ishte shmangie nga bëtaja, ne nuk shmangemi nga beteja. Do na kenë përballë çdo moment”, tha Bardhi.
”Rama na ka hapur luftë”,-tha Flamur Noka pas përjashtimit nga seanca e sotme për shkak të tensioneve në parlament. Në një deklaratë për mediat pas daljes nga salla e kuvendit, Noka tha se opozita sot është në ballë të aksionit pa ndalim kundër këtij regjimi. Noka theksoi se kryeministri shikon të vetmen zgjidhje kërcënimin me burg të kundërshtarëve. Ai paralajmëroi se e njëjta panoramë si sot do të jetë edhe në seancën parlamentare të së enjtes, pasi opozita nuk do të ndalet në aksionin kundër këtij regjimi. Sipas Nokës zgjidhje është vetëm qeveria teknike.
Përveç tymit e flakës në ambientet e jashtme, klima e tensionuar ka mbizotëruar edhe në sallë, aq sa ka shkuar edhe në përplasje fizike mes Sekretarit të përgjithshëm të PD, Flamur Noka dhe deputetit socialist Petro Koçi. Pas kësaj ka pasur një përplasje të ashpër verbale dhe me duar mes të dyve, ndërsa në konflikt janë bërë pjesë edhe Bledion Nallbati e Lefter Gështenja. Pas incidentit me Koçin, kryeparlamentarja Elisa Spiropali u ka tërhequr vëmendjen deputetëve demokratë duke u kërkuar të mos pengojnë punimet e Kuvendit dhe ka njoftuar përjashtimin e Flamur Nokës nga seanca.