Spiropali viziton Muzeun e Kongresit të Alfabetit në Manastir dhe Shtëpinë e Nënë Terezës në Shkup
Gjatë vizitës në Maqedoninë e Veriut, përveç takimeve zyrtare, Kryetarja e Kuvendit, Elisa Spiropali, vizitoi Muzeun e Kongresit të Alfabetit të Gjuhës Shqipe në Manastir dhe Shtëpinë Përkujtimore të Nënë Terezës, në Shkup.
Në Muzeun e Kongresit të Alfabetit të Gjuhës Shqipe në Manastir, Spiropali u prit nga Kryetari i Kuvendit të Maqedonisë së Veriut Afrim Gashi dhe personalitete të tjera shtetërore. “Kongresi i Alfabetit të Gjuhës Shqipe është njëra prej ngjarjeve më madhore për historinë, kulturën, dhe identitetin tone. 51 foto dhe 58 dokumente flasin e na tregojnë rrugën e gjatë e të mundimshme drejt Alfabetit, drejt shkrimit të Shqipes, gjuhës sonë të bukur e të shenjtë, me alfabetin latin. Me vendim të qeverisë shqiptare, 22 nëntori, Dita e Kongresit të Manastirit, kremtohet në Shqipëri si Dita e Alfabetit Shqip.”, u shpreh gjatë vizitës Spiropali.
Gjatë vizitës në Shtëpinë Përkujtimore të Nënë Terezës në Shkup, Spiropali u prit nga Zëvendëskryeministri Arben Fetai, Zëvendësministri i Arsimit Lulëzim Aliu dhe Drejtori i Institutit të Albanologjisë Skënder Asani.