Stafi i ambasadës së Iranit largohet nga Shqipëria. RENEA dhe antiterrori rrethojnë godinën
Forcat RENEA dhe antiterrori janë futur në ambientet e ambasadës së Iranit pas përfundimit të afatit 24 orë për të dorëzuar godinën pranë rrugës së Elbasanit në Tiranë.
Stafi i ambasadës së Iranit nuk ka dorëzuar çelësat e godinës dhe nuk ka hequr flamurin, për ta dorëzuar në mënyrë normale godinën.
Antiterrori, RENEA dhe njësia Antieksploziv do kontrollojnë godinën ku ishte ambasada e Iranit dhe më pas pritet që të futet policia dhe ta marrë nën kontroll.
Godina është boshatisur. Dokumentet u dogjën gjatë natës, ndërsa diplomatët bashkë me sendet personale u larguan gjatë paradites. Në aeroportin e Rinasit, ata do të kontrollohen imtësisht.