Stefan Çipa: Më shkulën me dhunë nga kandidimi
Kryebashkiaku aktual i Sarandës, Stefan Çipa, shpërthen në akuza për moskandimin për një mandat tjetër në këtë qytet.
Në një status të gjatë në Facebook, ai flet për sondazhe të falsifikuara që e nxorrën atë humbës përballë kandidates së zyrtarizuar tashmë.
“Ju kam ndjerë kaq pranë këto ditë të zhgënjimit më të madh që mora nga rezultati i përmbysur i garës së zhvilluar brenda PS për kandidat të saj për kreun e Bashkisë së Sarandës.
Qindra mesazhet dhe qindra telefonatat, që kam marrë prej jush në këto ditë, më kanë ndihmuar për të mos u ligështuar përpara një falsifikimi të madh, që ia doli të shkulë gati me dhunë emrin tim nga vendi fitues i garës që bëra për t’u konfirmuar unë sërish si kandidat për kreun e Bashkisë së Sarandës, nën siglën e PS” shkruan Stefan Çipa në statusin e tij.
“Çdo bisedë gojore apo telefonike me ju, më ka lartësuar moralisht e psikologjikisht, përballë triumfit të së keqes, të atyre që i lexuan duke i kthyer përmbys punët dhe realizimet e këtyre 4 viteve të fundit në krye të Bashkisë së Sarandës”, shkruan Çipa.