Stop fajësimit të të rinjve! Pagesë minimale për çdo të ri që s’punon a vazhdon shkollën
Nga Sali Berisha
Më në fund: “Fajin nuk e ka Saliu, por e kanë të rinjtë!” Stop fajësimit të të rinjve nga Edvin Hajduti. Ata janë sot më të braktisurit në Shqipëri! 90 përqind e tyre nuk përfituan asnjë lloj ndihme gjatë karantinës 60-ditore.
Të rinjtë nuk janë shkaku i përhapjes, por viktima kryesore sociale e COVID-19!
Çdo ditë Edvin Hajduti me zëdhënësit dhe mediat e tij të Arben dhe Karlo Malavitës e Ymer Çorapes, direkt apo me nëntekst sulmon dhe fajëson të rinjtë si përgjegjës për daljen totalisht jashtë kontrolli të pandemisë së COVID-19 për shkaqe që lidhen direkt me vjedhjet, korrupsionin, cinizmin dhe xhahillëkun e tij.
E vërteta është se nuk janë të rinjtë shkaku i përhapjes së madhe të pandemisë, por mjerisht ata janë sot viktima sociale më kryesore e saj.
Kështu, një raport i Rrjetit Kombëtar për të Rinjtë dhe Qendres për të Drejtat e Fëmijëve provon se:
“Pandemia shtoi kriminalitetin, papunësinë, dhunën dhe varfërinë tek të rinjtë në Shqipëri“.
Ky raport gjen se sipas pyetësorit kombëtar me të rinjtë, të zhvilluar gjatë periudhës së mbylljes së detyruar të Shqipërisë për shkak të pandemisë së COVID-19, rezulton se afro 50 përqind e të rinjve deklaruan se ata ose një familjar i tyre, humbën vendin e punës gjatë pandemisë; mbi 90 për qind pohuan se nuk kanë përfituar asnjë lloj ndihme nga qeveria gjatë mbylljes së detyruar.
Anketa zbuloi se gjatë karantinës mbi 60 për qind e të rinjve pohuan dhunën e shtuar në familje dhe mbi 80 për qind thanë se viktimat kryesore të dhunës ishin vajzat dhe gratë.
Pra raporti fakton qartë se të rinjtë në Shqipëri, në periudhën e shtetëzimit të kohës nga Edvin Kristaq Hajduti ishin dhe viktima kryesore të këtij shtetëzimi të dështuar.
Të përpiqesh të mbulosh dështimin e plotë në kontrollin dhe menaxhimin e pandemisë siç bën me propagandën e tij Edvin Hajduti, është një akt zuzar, cinik dhe i shpëlarë.
COVID-19 në Shqipëri doli jashtë kontrolli jo nga të rinjtë, por nga shkaqe që nuk kanë asnjë lidhje me të rinjtë dhe konkretisht:
1 – Nuk janë të rinjtë, por Edvin Hajduti me zëdhënësit e tij që nuk morën absolutisht asnjë masë paraprake në sigurimin e qendrave të karantinës, testeve, maskave, respiratorëve në sasinë e duhur për përballimin e pandemisë.
2 – Nuk janë të rinjtë, por Edvin Hajduti dhe zëdhënësit e tij që vodhën me tenderat dhe prokurimet e mjeteve për pandeminë duke i blerë ato me shumicë me çmime dy e tre herë më të larta se sa çmimi i shitjes me pakicë.
3 – Nuk janë të rinjtë, por Edvin Hajduti që manipuloi, falsifikoi që në fillim çdo tregues të COVID-19 vetëm e vetëm për të deklaruar sukses falso dhe për t’u thënë shqiptarëve shyqyr që në këtë fatkeqësi shekulli, pate kryeministër Edi Ramën, i cili në fakt është në vete një fatkeqësi më e madhe se sa COVID-19 dhe pandemia e tij.
4 – Nuk janë të rinjtë, por Edvin Hajduti dhe zëdhënësit e tij që me xhahillëkun e tyre shndërruan QSUT dhe qendrat e tjera spitalore në bomba biologjike, që përhapën me shpejtësi pandeminë në të katër anët e vendit.
Dënoj me ashpërsi e neveri, sulmet e stisura direkte dhe indirekte të Edvin Hajdutit dhe zëdhënësve dhe mediave të tij ndaj të rinjve si përgjegjës për daljen jashtë kontrolli të pandemisë dhe kërkoj caktimin e një pagese minimale për çdo të ri që nuk punon apo vazhdon shkollën, si kushti më kryesor për t’i mbrojtur ata nga pasojat e rënda të pandemisë.