Strukturë e posaçme për 14 Majin nga Prokuroria e Përgjithshme
Pas raportit për punën e Prokurorisë së Përgjithshme, Olsian Çela bëri me dije se është ngritur një strukturë e posaçme që analizon çdo rast që lidhet me krimet zgjedhore dhe më pas do të bëhet publike.
Në një prononcim për mediat, pas raportimit vjetor në KLP, Çela tha se tashmë është bërë e ditur për mediat dhe opinionin publik që janë një sërë masash që është kërkuar të merren nga Prokuroritë Gjyqësore, që kanë të bëjnë me angazhimin e strukturave të prokurorisë në të gjithë fazën zgjedhore dhe post zgjedhore.
Ai tha se Ddo të kemi 13 prokurori që do të angazhohen, pasi nga 1 maji nis aktiviteti i tyre me ndryshimin e hartës gjyqësore.
“Kjo ka të bëjë me një numër më të madh prokurorësh, të cilët bëhen pjesë e shërbimit të gatishmërisë për të vlerësuar çdo lloj situate. Së dyti ka të bëjë me fokusin me çështjet që lidhen me krimet zgjedhore. Masat janë të njëjtat, angazhimi i prokurorëve është i njëjtë, strukturat janë të njëjtat. Do të kemi 13 prokurori që do të angazhohen sepse më 1 maj fillon aktiviteti i prokurorive me ndryshimin e hartës së re gjyqësorë. Do të vlerësohet çdo material referues që ka të bëjë me krimet zgjedhore”, tha Çela.