Studentët e Mjekësisë, Rama: Populli shqiptar nuk paguan taksa për sistemin shëndetësor gjerman
Kryeministri Edi Rama në një takim me Asamblenë e zgjeruar të PS në Durrës, foli edhe për shëndetësisë dhe studentët, ku u shpreh se qytetarët shqiptarë nuk paguajnë taksa për sistemin shëndetësor gjerman. Në aspekt të kësaj, kreu i qeverisë theksoi se tarifat e një studenti shqiptar që studion për mjekësi janë shumë të ulëta. Për studentët e mjekësisë që dëshirojnë të largohen nga vendi pas studimeve, Rama tha se do të duhet që të paguajnë një tarifë.
”Kostoja e studimit të Mjekësisë në Shqipëri është 1/16 e kostos reale dhe nuk ka asnjë krashasim me koston e studimeve në Gjermani. Një nga arsyet që sot në Gjermani ka një problem me mjekët, është kostoja shumë e lartë e studimeve.
Atëherë për çfarë arsye të gjithë ju, që duan edhe t’i bëjnë studimet thuajse me kosto 0, të marrin diplomë, për faktin që kostoja reale mbulohet nga taksat, duan të ikin në Gjermani direkt. Për kë punon populli shqiptar, për kë paguan taksa? Për sistemin shëndetësor gjerman? Kjo është të vësh duart në kokë.
Si mundet ne që të pranojmë që ne këtu të financojmë studime dhe duke qenë se Universiteti i Mjekësisë në Shqipëri nuk është i kuotuar dhe mjekët shqiptarë janë të vlerësuar në Gjermani, ne të financojmë me një tarifë qesharake fare sistemin shëndetësor gjerman? Po pse? Ndërkohë që një shtet paguan universitetin, mbulon kostot, u jep mundësi studentëve që të studiojnë në degët që dëshirojnë në mënyrë që t’u përgjigjet qytetarëve të vetë kur kanë nevojë për kujdes”,-tha Rama.