Studentët në revoltë: Pakti ishte mashtrim (FOTO/VIDEO)
Një vit pas protestave të fundit, studentët i janë rikthyer sërish atyre duke bojkotuar mësimin. Studentë nga Fakulteti i Historisë dhe Filologjisë, i janë përgjigjur thirrjes për revoltë nga organizata Rezistenca Rinore. Ata kanë bojkotuar mësimin në shenjë protestë kundër Paktit për Universitetin që sipas tyre është një mashtrim. Sipas tyre qeveria është në panik nga protesta, ndaj kanë filluar të ndryshojnë edhe oraret e seminareve dhe të aktiviteteve me qëllim pengimin e protestave.
Studentët, theksojnë se kushtet në konvikte vijojnë të jenë skandaloze, tarifat nuk janë përgjysmyuar dhe studentët vijojnë të mos jenë pjesë e vendimmarrjes në universitete. Ata kërkojnë që mazhoranca të mbajë premtimet dhe kanë paralajmëruar se nuk do t’i ndalojnë protestat derisa diçka e tillë të arrihet.
Në dhjetor të vitit të kaluar qindra studentë dolën përpara Ministrisë së Arsimit për të kërkuar arsim cilësor dhe plotësimin e kushteve të tyre. Ata refuzuan ftesat e herëpashershme për dialog të ish-ministres Lindita Nikolla dhe kryeministrit Edi Rama, derisa u arrit Pakti për Universitetin.