Studentët-Ramës: Pse duhet të qëndrojnë në Shqipëri? Kryeministri: Bota është e atyre që guxojnë
Ndalesa e rradhës së kryeministrit Edi Rama për Strategjinë e Re Kombëtare për Rininë (2022-2029), është Elbasani. Aty shefi i qeverisë është takuar me nxënës dhe studentë. Një ndër pyetjet e tyre është pse studentët nuk duhet të largohen jashtë vendit, dhe Rama tha se kushdo është i lirë të zgjedhë ku do të studiojë dhe jetojë, por si në Shqipëri, si jashtë vendit, kjo botë është e atyre që guxojnë dhe janë të vendosur.
”Disa nga ju kërkuat t’ju themi cilat janë arsyet që të qëndroni këtu dhe mos ikni. Unë pavarësisht pozicionit nga ku flas në këtë rast, nuk kam ndryshuar mendim sesi e shoh këtë punë. Çdokush është i lirë dhe në të drejtën e vet të marrë vendimin se çfarë do të bëjmë.
Për fat të mirë nuk jetojmë më siç jetonim deri para 30 vjetësh kur nuk ja bënim këtë pyetje vetes sepse ishte e vështirë ta imagjinoje, jo më të dilje jashtë shtetit. Liria i ka dilemat shumë më të mëdha se zgjedhja e lirë është një zgjedhje shumë më e vështirë se sa imponimi që të vjen nga lart. Kur njeriu është para dilemave duhet të bëjë zgjedhjet e veta, pro meqë u pyetëm unë do ta nisja nga e kundërta.
Në të gjitha rastet në Shqipëri, jashtë Shqipërisë kjo botë është e atyre që guxojnë dhe janë të vendosur. Kush guxon ja del kudo që të jetë. Pastaj sigurisht që bënë zgjedhjet e veta në varësi se ku do të shkojë dhe sa larg do të ngjitet”,-tha Rama.
Strategjinë e Re Kombëtare për Rininë, do të prodhojë në bashkëpunim me të rinjtë një dokument pune dhe angazhimesh konkrete të institucioneve kombëtare e vendore, në funksion të fuqizimit të rinisë shqiptare.