Studenti i ankohet Bashës: Nuk shoh të ardhme. Kreu i PD: Ka veç dy rrugë

Kreu i PD-së, Lulzim Basha ka zhvilluar sot një bashkëbisedim me të rinjtë që prej pamundësive ekonomike nuk kanë vazhduar ose kanë vështirësi ekonomike për të vijuar studimet e larta apo Universitetin. Një student i Gjeografisë, Ernest Sulaj, i tha Bashës se për të vazhduar studimet i duhet të punojë ndryshe nuk i përballon dot shpenzimet dhe për këtë i duhet të punojë në ndërtim pa orar.

”Unë jam student, master viti i dytë, studioj gjeografi, master profesional . Përveçse punoj në ndërtim pa orar nga ora 7 deri 5, 6 pasdite, shoh që nuk kam të ardhme. Unë kam investuar shumë për shkollimin tim, familja ime gjithashtu ka investuar dhe e shoh që pas tre muajsh ku unë duhet të jem praktikant shumë koleg të mi do të marrin një rrogë më të ulët sesa unë marr në ndërtim”,-tha studenti.

Nga ana tjetër, Basha iu tregoi të rinjve se forca më e madhe për ndryshim është një politikë në shërbim të njerëzve. ”Resursi, burimi, forca më e madhe që kemi për të ndryshuar është një politikë në shërbim të njerëzve. Investimi më i madh i kundërshtarit tonë politik sot në qeveri është të zhbëjë besimin tek politika si instrument ndryshimi. Kjo është një qeveri dhe ky është një kryeministër që mendon vetëm për veten, nuk mendon për njerëzit. Dhe i gjithë investimi i tyre përdoret për të shkatërruar besimin që ky ndryshim nuk ndodh për të thënë që kështu është e thënë, kështu është e shkruar, nuk ndryshon dot. Jo, nuk ka pse të jetë kështu dhe nuk do të jetë kështu pas 25 prillit”,-tha Basha. Për të ka vetëm dy rrugë, ose të bëhemi të gjithë bashkë ose ta dorëzojmë vendin në duart e të keqes.

SHKARKO APP