HEDA Albania, platforma shëndetësore që përcjell vërtetësi dhe ofron siguri!

Placeholder Image

HEDA (www.heda.al) është platforma online shëndetësore e cila ofron mbështetje, siguri dhe vërtetësi për të gjithë publikun duke promovuar shëndet të mirë e të sigurtë për të gjithë. Informimi dhe ndërgjegjësimi i publikut mbi çeshtje shëndetësore janë qëllimi kryesor i kësaj platfome. Duke u udhehequr nga vlerat dhe profesionalizmi, punojmë me seriozitet dhe pasion në mënyrë që qëllimet tona të gjejnë mbështetje dhe të përqafohen nga publiku.

HEDA lindi rreth një vit e gjysëm më parë, si iniciativë e një grupi multidisiplinar profesionistësh të fushave të shëndetësisë, psikologjisë, teknologjisë së informacionit dhe gjuhësisë, formimi ,bindjet dhe aftësitë e të cilëve i dhanë formë qëllimeve të kësaj platforme. Kjo platfomë rrënjët i ka në shqipëri, por degët i ka në mbarë botën. Bashkëpunëtorët që aktualisht kontribuojnë pranë kësaj platfome janë profesionistë të fushave të ndryshme si : mjekë, farmacistë, psikologë, psikoterapeutë, doktorantë, post-doktorantë, lektorë e profesorë të angazhuar në institute kërkimore, universitete, organizata ndërkombëtare, kompani farmaceutike, akademi shkencore etj, të shpërndara në mbarë botën.  Iniciativa lindi si angazhim vullnetar i secilit prej bashkëpunëtorëve. Pasioni dhe përkushtimi i secilit prej nesh, bën të mundur që një iniciative e tillë, edhe pse vullnetare, të rezistojë në kohë.

Heda Albania promovon bashkëpunim shkencor dhe shkëmbim informacionesh të bazuara në fakte dhe evidenca. Siguria e informacioneve që përcjellim ofrohet përmes bashkëpunimit të profesionistëve të cilët studiojnë, punojnë e hulumtojnë në institucione të ndryshme shëndetësore dhe kërkimore shkencore në botë. Shpërndarja e informacioneve dhe koncepteve shkencore moderne, tashmë me një gjuhë të thjeshtë e rriti rendimentin e Heda-s përgjatë një viti. Deri tani kemi publikuar vazhdimisht informacione që pasqyrojnë në kohë reale progresin shkencor ndërkombëtar.

Platforma HEDA Albania është e vetmja platfomë informuese shëndetësore dhe shkencore shqipfolëse e cila ju përgjigj dhe vazhdon t’i përgjigjet emergjencës botërore COVID-19. Para rreth dy muajsh në brendësi të saj u krijua një ekip i dedikuar me qëllim infomimin e profesionistëve dhe publikut shqipfolës me të rejat më të fundit shkencore, duke përdorur një gjuhë të thjeshtëzuar e të kuptueshme për të gjithë. Për këtë qëllim krijuam në platformë seksionin e emergjencës (https://www.heda.al/emergjenca-covid-19 ) me dy kategori të veçanta; një për publikun (https://www.heda.al/artikuj/tag/covid-19); një për profesionistët (https://www.heda.al/covid-19-per-profesionistet ). Arritëm të krijonim një bashkëpunim dhe me një grup si motra në Itali, pikërisht me AIRicerca ( Shoqata e kërkuesve shkencor italian në mbarë botën,www.airicerca.org ) të cilët përkrahën nismën tonë anti-covid dhe na mbështetën me ekspertizën e tyre. Punimet e publikuara në seksionin e profesionistëve ekipi ynë ja ka dedikuar personelit shëndetësor të angazhuar me luftën e COVID-19 në Shqipëri. Në terma të prekshëm, Heda ka publikuar vetëm gjatë kësaj periudhe mbi 70 përmbledhje artikujsh shkencorë; 6 përditësime shkencore mbi epidemiologjinë dhe klinikën e COVID-19; 7 udhëzues skematikë dhe më shumë se 15 postera me informacione të përmbledhura në një imazh.

Mobilizimi i këtij grupi të vogël shqiptarësh ngjalli kureshtje e interes mes studiuesve të tjerë shqiptarë në mbarë botën dhe bëri që grupit tonë t’i vijnë në ndihmë dhe forca të reja.

 

SHKARKO APP