Sulltan Novruzi, Presidenti Begaj takohet me Kryegjyshin Botëror të Bektashinjve

Me rastin e ditës së Sulltan Novruzit, Presidenti i Republikës, Bajram Begaj, vizitoi sot Selinë e Shenjtë të Kryegjyshatës Botërore Bektashiane, ku u takua me Kryegjyshin Botëror të Bektashinjve, Shenjtërinë e Tij, Haxhi Dede Edmond Brahimaj.

Kreu i shtetit përfitoi nga rasti të shprehte një urim për të gjithë besimtarët bektashianë në përfundim të vizitës së tij. “Erdha sot të uroj besimtarët bektashinj për Festën e Sulltan Novruzit, ditën e lindjes së Imam Aliut, ditën e fisnikërisë bektashiane! Kënaqësi të takoja Kryegjyshin Botëror, në këtë ditë të rëndësishme”,-tha Presidenti Begaj në deklaratën e tij për shtyp.

Kreu i Shtetit shtoi më tej: “Uroj të gjithë besimtarët bektashinj, shëndet, mbarësi, lumturi e paqe në familjet e tyre dhe kudo! Kjo ditë e veçantë përkon me stinën e pranverës, me ngjyrat, optimizmin dhe gjallërinë që ajo ka! Kështu që uroj të gjithë shqiptarët, të kenë pranverë në jetët e tyre, të kenë shëndet dhe lumturi!”.

Presidenti Begaj së bashku me Kryegjyshin Botëror të Bektashinjve, Shenjtërinë e Tij, Haxhi Dede Edmond Brahimaj, vizituan edhe statujën e Imam Aliut të përuruar ditën e sotme.

SHKARKO APP