Sulmet kibernetike, kreu i Policisë së Shtetit: Disponojmë 100% informacionin tonë, asgjë nuk është ekspozuar
Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Muhamet Rrumbullaku në një deklaratë për mediet ditën e sotme theksoi se efektivët nuk janë nën presionin e askujt pas sulmeve kibernetike dhe emrave të ekspozuar.
Ai deklaroi se Policia e Shtetit disponon 100% të informacionit dhe asgjë nuk është ekspozuar.
“Është një listë emrash, pavarësisht se janë punonjës policie nuk kanë të bëjnë me informacion të klasifikuar sekret shtetëror dhe as me sistemet e policisë së shtetit. Ne e disponojmë 100% informacionin tonë, asgjë nuk është e ekspozuar pavarësisht deklaratave. Punonjësit e policisë vijojnë të kryejnë funksionet përkatëse. Duhet të keni informacionin për sistemin Deep Sea është motor kërkimi. Nuk ka database nuk ka të dhëna. Nuk kemi asgjë të ekspozuar, megjithatë ekspertiza do e tregojë. S’kemi frikë nga askush. Punonjësit e policisë nuk kanë frikë nga askush. Po kryejnë detyrën e tyre“, tha Rrumbullaku.