Sulmet kibernetike, Veliaj: Shqipëria ka mbështetjen e SHBA, e trishtë që opozita i gëzohet agresionit iranian
Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj në një intervistë për ”News24” tregoi detaje nga vizita e tij e fundit në SHBA. Duke e cilësuar tepër të suksesshme vizitën e tij në SHBA, Veliaj u ndal dhe te sulmi kibernetik, ndërsa pohoi se pas tyre fshihet Irani.
“Shqipëria ka miq të jashtëzakonshëm sot në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Ka qenë një vizitë shumë e suksesshme edhe për të folur pak për situatën e fundit. Ka pasur interes jo vetëm për sulmet kibernetike. Roli super pozitiv dhe vendimi i Edi Ramës që Shqipëria të ishte një vend mikpritës për ata qytetarë që kishin bashkëpunuar me forcat amerikane në Afganistan, kishte një mirënjohje për atë vendim të kryeministrit dhe të qeverisë për të mikpritur rolin e Shqipërisë, si vend Anëtar i Sigurimit dhe gjatë verës dhe si kryesues i Këshillit të Sigurimit me Ukrainën. Unë besoj se ia kemi dalë me sukses. Sigurisht, kjo aleancë vjen edhe me sfida. Qartazi, pas sulmit të fundit pa asnjë dyshim ka qenë Irani. Shqipëria është vërtet aleate besnike, meriton gjithashtu edhe mbështetje. Me miq të tillë Shqipëria s’do të jetë kurrë vetëm”, tha Veliaj.
Kreu i Bashkisë shprehu keqardhjen që opozita u gëzua për sulmin kibernetik të regjimit represiv të Iranit ndaj sistemeve tona të shërbimeve.
“Ambasadorja e Amerikës dhe ambasadorja e Evropës flasin dhe mbrojnë Shqipërinë më shumë se sa disa nga partitë politike, që thuajse gëzohen që ndodhi ky sulm dhe thuajse gëzohen që qeveria apo bashkia ka bela të tilla për të menaxhuar. Kjo është diçka shumë e trishtë. Apeli im sot është: Unë e kuptoj që ata kanë halle, njëri ka hall që s’shkon dot në Amerikë, njëri ka hall që është spiun, njëri ka hall që është paguar nga rusët. Unë ua kuptoj hallet, por hallet e tyre nuk duhet të kthehen në hallet e kombit tonë dhe kur kombi kur Shqipëria jonë është në rrezik, ta dojë më shumë ambasada e Amerikës dhe ambasada e Delegacionit Evropian sigurisht është kompliment, por është minimumi kur mendon që të njëjtën gjë duhet të bëjmë ne shqiptarët”, deklaroi Veliaj.