Sulmi ndaj përfaqësuesve të PD. Bardhi: SPAK të zgjohet nga gjumi, të hetohet mafia e plehrave
Sekretari i Përgjithshëm i PD, Gazment Bardhi ka reaguar për sulmin që punonjësit e impiantit të përpunimit të plehrave në Sharrë bënë ndaj përfaqësuesve të PD, Ina Zhupa dhe Belind Këlliçi. Dy përfaqësuesit e PD ishin në Sharrë për të denoncuar aferën e inceneratorëve dhe nuk u lejuan nga punonjësit e kompanisë private.
Nisur nga kjo ngjarje, Bardhi kërkon reagimin e menjëhershëm të SPAK për të zbardhur korrupsionin me impiantet e mbetjeve të plehrave.
“Ngjarja e sotme në Sharrë, ku Edi Rama dhe Erjon Veliaj nxorën punonjësit për të penguar opozitën të tregoje me fakte të vërtetën e vjedhjes se miliona eurove në landfill, është dëshmia me e qartë e aferës së tmerrshme korruptive që duan te fshehin. Mafia e plehrave përdori sot punonjësit që janë për bukën e gojës për të fshehur të vërtetën, që në atë vend po vidhen paratë e shqiptarëve”,- tha Sekretari i Përgjithshëm i PD.
Bardhi shprehet se institucionet e drejtësisë duhet të reagojnë menjëherë dhe t’u tregojnë shqiptarëve se cila është e vërteta me miliona eurot që janë dhënë nga qeveria për plehrat.
“Ashtu siç bënë me ngjarjen e tmerrshme, ku humbi jetën Ardit Gjoklaj, ngjarje për të cilën Erjon Veliaj duhet të ishte para drejtësisë, edhe sot ata po mundohen të pengojnë të vërtetën, duke paguar e shantazhuar mediat që të heshtin dhe duke përdorur punonjësit për të penguar publikimin e fakteve. Drejtësia duhet të veprojë pa humbur kohë. SPAK duhet të zgjohet nga gjumi dhe t’u tregojë shqiptareve se është i pavarur nga qeveria”,- deklaroi Gazmend Bardhi.
Më herët zëdhënësja e PD, Ina Zhupa dhe kreu i FRPD, Belind Këlliçi denoncuan sulmin e punonjësve të impianit të mbetjeve në Sharrë. Zëdhënësja e PD, Ina Zhupa tha se situata që ndodhi sot në mëngjes, kishte një qëllim, që të na mbyllte gojën dhe të na bënte të pamundur thënien e fakteve të vërteta, të patjetërsueshme të kësaj afere kriminale dhe mafioze.
“Ata duan që të mos i përgjigjen pyetjes së thjeshtë që ka çdo shqiptar sot. Kush janë pronarët e vërtetë të inceneratorëve. Kush janë pronarët që fshihen pas kontove në parajsat fiskale. Për cilët pronarë Edi Rama në vitin 2017 shkeli Ligjin e Prokurimeve Publike. Nuk bëri njoftim 50 ditor në mediat ndërkombëtare. Nuk bëri garë ndërkombëtare. Bëni një tender pa kritere teknike. Pa terma reference vetëm e vetëm për t’ia dhënë të paracaktuarit të tij, pronarët e të cilëve nuk dihen ende sot dhe për këtë duhet të japë përgjigje Edi Rama. Brenda natës ata arritën që “Sharrën” ta shndërronin nga një shërbim publik, në një monopol privat”,– deklaroi Ina Zhupa.
https://arkiva.kohajone.com/perfaqesuesit-e-pd-se-sulmohen-nga-punonjesit-e-landfillit-te-sharres/