Sulmi ndaj Top Channel, Fevziu: Nëse kjo ngjarje nuk zgjidhet, krimi merr fuqi të madhe

Gazetari Blendi Fevziu ka folur për sulmin terrorist ndaj “Top Channel”, ku tha se sipas tij ngjarja nuk ka prapavijë politike. I ftuar ditën e sotme në emisionin “Zona Zero”, Fevziu pohoi që nëse kjo ngjarje nuk zgjidhet, atëherë krimi do marrën një fuqi të madhe.

”Ngjarjet si djegia e gazetës Koha Jonë është politike. Ka ndodhur në vitin 1997, ndërsa kjo në një kohë tjetër, në një vend që quhet ndër më të sigurtit në botë. Kjo sot është shumë e rëndë, pikërisht sepse është sot, e bën më të rëndë ngjarjen.

Unë jam 33 vjet gazetar, me thënë të drejtën nuk kam pasur ndonjëherë kërcënime edhe pse kam trajtuar çdo lloj teme. Kjo ngjall një lloj shqetësimi, por duhet pasur parasysh se gazetarët nuk mund të tremben vetëm se një njeri gjuan me armë. Gazetari shkon në luftë, në ngjarje kriminale. Kushdo që ka zgjedhur gazetarinë, e di se rrezikun e ka brenda profesionit.

Nuk mund të presësh që politika ka gjë nën dorë. Nuk besoj se kjo ngjarje ka lidhje me politikën, apo edhe me ngjarje pa lidhje siç e bëjnë me “Big Brother”, kjo është çështje serioze. Një tentativë për ti marrë jetën një personi dhe tjetra një tentativë për sulm ndaj një institucioni duhet të zgjidhet sa më parë. Këtu ka një frymë të mungesës së bashkëpunimit të politikës me median. Në vitet ’90 ka pasur më shumë bashkëpunim. Tani ka një klimë negative”, tha Fevziu.

SHKARKO APP